Banorët e Njësisë Administrative 8 nuk ka nevojë të shkojnë deri te Bulevardi Zogu I për të marrë një çertifikatë, vërtetim apo çdo shërbim që ofrohet sot nga njësia. Pas zyrave të reja për Lagjen 13, Bashkia e Tiranës ka krijuar mjedise të reja edhe për Njësinë 8, të cilat u përuruan nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ai e cilësoi këtë si një premtim të mbajtur për banorët e Njësisë 8.


Më vjen mirë që i kemi sjellë shërbimet për ndihmën ekonomike, certifikatat apo gjendjen civile në zemër të Njësisë 8. Jemi në një situatë ku 70% e banorëve e kanë Njësinë Administrative vetëm 5 minuta larg në këmbë. Do të thotë se shumica e Njësisë 8 sot do të shërbehet në një distancë shumë të vogël në zemër të njësisë, në zonën e Selvisë. Më vjen mirë që për 47 mijë banorë, të cilët shkonin tek Zogu I për të marrë të gjitha shërbimet, sot jo vetëm kemi liruar Njësinë 9 nga fluksi, por e kemi rikthyer bazën e gjithë shërbimeve komunitare në zemrën e Njësisë 8, tha Veliaj.


Kryebashkiaku ftoi të gjithë banorët që janë pjesë e kësaj njësie, por që nuk janë të regjistruar aty, të bëjnë zhvendosjen e vendbanimit të tyre, duke përfituar edhe nga amnistia e vendosur nga qeveria për transferimin e gjendjes civile. Kjo procedurë, tha Veliaj, është shumë e rëndësishme në mënyrë që edhe fondet e buxhetit për vitin 2019 të ndahen sipas numrit të banorëve për çdo njësi.


Dua ti ftoj të gjithë banorët të regjistrohen në këtë njësi, jo vetëm banorët e Njësisë 8, pjesa e vjetër e Tiranës, por edhe ata të pjesës së re që vazhdon deri te Bregu i Lumit. Është e rëndësishme që të dimë saktësisht sa banorë ka secila njësi, që edhe fondet ti japim në përpjesëtim të drejtë me numrin e banorëve. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët, jo vetëm këtu në Njësinë 8, ku kemi një hapësirë mbi 500 metra katrorë, ku çdo gjë bëhet lirshëm, pa u shtyrë nëpër kangjella, pa pritur në radhë, me një shërbim dhe mjedis të kulturuar, por edhe në njësitë e tjera 12, 13, dhe 14, respektivisht te Fresku, te Kopshti Botanik dhe zona e Unazës së Re, të regjistrohen aty. Sa më të saktë ta kemi listën e banorëve, aq më të shumta do të jenë fondet, u shpreh ai.


Veliaj ritheksoi se bashkëpunimi i banorëve për të bërë regjistrimin në vendin ku ata jetojnë realisht nënkupton më shumë investime për zonën e tyre dhe më shumë mirëqenie për çdo qytetar.


Sot kemi banorë që kanë ardhur si nga Tropoja, si nga Saranda, që jetojnë prej vitesh ose këtu në Njësinë 8, ose afër Bregut të Lumit, ose te Fresku apo te Kopshti Botanik, ndërkohë që në letrat dhe regjistrat e bashkisë kemi një numër shumë modest. Kjo do të thotë se nevoja për të bërë investime nuk përputhet me sa banorë janë në regjistrat e bashkisë, ndaj nxitoni, është pa gjobë, një mundësi fantastike sidomos tani që njësia administrative është mu në zemër të komunitetit, tha kreu i Bashkisë.


Veliaj falënderoi banorët për mirëkuptimin, ndërsa risolli në vëmendje investimet e bëra në këtë njësi në tre vitet e para të mandatit. Ende pa mbyllur mandatin kemi arritur të mbajmë të gjitha premtimet që janë dhënë për këtë njësi, duke filluar nga Pazari deri tek biblioteka, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe në fund fare qershia mbi tortë, njësia administrative mu në zemër të njësisë, tha Veliaj.


Ndërsa, deputeti i PS, Ervin Bushati tha se zyrat e reja që janë 3 herë më të mëdha se ato që ishin më herët, lehtësojnë çdo banor të zonës për të gjitha shërbimet që ata duan. Më vjen mirë që sot i japim një palë zyra supermoderne Njësisë 8, tre herë më të mëdha se ajo që ka pasur në të shkuarën. Pra, kemi adresuar një problem shumë të rëndësishëm dhe shpresoj që viti 2019, që i gjen të gjithë me zyra më të mira, të nxitojnë të marrin edhe çekun e bebes, edhe familjet të vijnë të bëjnë celebrimet këtu, të regjistrojnë sa më shumë fëmijë. Mendoj se i kemi hyrë një momenti ku kemi lajme të mira shumë për Njësinë 8, sidomos në infrastrukturë, ka një sërë investimesh të cilat mbarojnë këtë vit, që e kanë ndryshuar në gjysmën e tyre shumicën e lagjeve brenda pallateve, një sërë investimesh ku kuartallat janë rinovuar dhe zyrat janë të reja. Falenderoj kryetarin e bashkisë sepse me të vërtetë ka pasur një vëmendje të shtuar tek kjo njësi sepse e ka merituar, një njësi që gjithmonë ka pasur dhe ka prodhuar shumë politikanë, por ska pasur dhe ska prodhuar fare investime, tha Bushati.


18 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)