Firence, kryeqendra e rajonit të Toskanës renditet ndër qytetet më të bukura të globit dhe konsiderohet si një nga djepet e artit dhe arkitekturës botërore.

Vendi i origjinës së Rilindjes, sot është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit në UNESCO. Mes shumë artistëve që i lanë qytetit pasuritë e paçmueshme, janë emra të njohur të historisë së artit si Cimabue, Giotto, Andrea Pisano, Donatello, Michelangelo e Leonardo da Vinçi.

Përpos pasurive materiale artistike, të parët u kanë trashëguar fiorentinëve pa dyshim edhe pasionin për artin. Përveç se e ruajnë më së miri ndër shekuj, kultivojnë edhe atë bashkëkohor. Shembull i kësaj është mes të tjerash Firenze Biennale, e cila që nga viti 1997 ka mbledhur me mijëra artistë nga e gjithë bota.

Artisti shqiptar që po merr pjesë në këtë bienale është piktori Bujar Arizi, sipas të cilit për mungesë mbështetjeje nga Shqipëria, në këtë konkurs ndërkombëtar përfaqëson Greqinë.

Ai paraqitet me tre punime, dy kompozime dhe një portret. Ndër vizitorët e shumtë në Biennale, që zgjat nga data 3-11 dhjetor, ka edhe shqiptarë.

Piktura, skulptura, instalacione, video-projeksione. Një mori idesh dhe gjetjesh nga artistë që vijnë nga mbi 60 vende të botës, të cilët kanë sjellë vepra që përcjellin mesazhe pozitive, mes të tjerash për paqen, ambientin, harmoninë në bashkësi.

“Filozofia e Biennale-s është që të përfaqësojë të bukurën në kontrast me gjithçka të shëmtuar që ndodh në botë. Mjaft me luftërat dhe shkatërrimin e monumenteve që kemi humbur gjatë shekujve”, ka deklaruar Pasquale Celona, president i Bienales së Firences.