TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka çelur sot për publikun ekspozitëm video-muzeale “Bunke Art”, një bunker pesëkatësh i ndërtuar nga ish diktatori Enver Hoxha, ku ishin vendosur zyrat dhe banesat e udhëheqësve të lartë komunistë nga ku do të drejtonin dhe vendin gjatë kohës së sulmit të imagjinuar bërthamor.  

I shoqeruar nga ministra te kabinetit, Rama në rolin e ciceronit u tregoi me radhë ambientet e veçanta Brenda bunkerit, dy ambasadorëve, atij Amerikan Aleksandër Arvizu dhe ambasadorit Italian Masimo Gajani. Bunkeri me 106 zyra ndodhet në periferi të Tiranës pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, në rrugën e “Shish-Tufinës”, 1.5 km larg qendrës spitalore "Nënë Tereza". 

Kryeministri Rama njoftoi më heret në faqen e tij në “facebook” hapjen e bunkerit antiatomik. “Ne 11 sot çelim për publikun bunkerin e fshehtë antiatomik të diktaturës komuniste!Çudira të vjetra e surpriza të reja në një pallat në tokë”- shkruan Rama. 

Pas hapjes se bunkerit qytetarët do të kenë mundësinë të shikojnë se çfarë infrastrukture kishte krijuar regjimi komunist i Enver Hoxhës për t’u strehuar në rast të ndonjë sulmi bërthamor.

“Njëzet e pesë vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe 70 vjet pas çlirimit nga pushtuesit, nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, çelet për herë të parë për publikun bunkeri anti-bërthamor i nomenklaturës komuniste- një pallat i kyçur në zemrën e një kodre me plot çudira të vjetra e surpriza të reja”, thuhej në lajmërimin e Kryeministrisë për këtë aktivitet.

Bunkeri është një ndërtim pesëkatësh ku ishin vendosur zyrat dhe banesat e udhëheqësve të lartë komunistë nga ku do të drejtonin vendin gjatë kohës së sulmit të imagjinuar bërthamor. Bunkeri është ndërtuar në atë mënyrë që ti bënte ballë edhe një lufte bërthamore që mund të përfshinte Shqipërinë.

Brenda tij është një shtëpi me hapësira maksimale e përshtatur për diktatorin Hoxha. Gjithashtu një ambient i madh ishte parashikuar për mbledhjet e rëndësishme që do të zhvilloheshin në rast lufte, dhoma qëndrimi për gjeneralët dhe ushtarakët e lartë që do të qëndronin afër Hoxhës, një sallë kinemaje dhe një bar.

(a.n/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Berisha: Rama i tmerruar nga protesta, ka përgatitur për vete bunkerin e bllokut!!