PRISHTINË- Në Muzeun e Kosovës, në Prishtinë, për më shumë së tre muaj do të jetë e hapur ekspozita arkeologjike "Një Komb, Një Kulturë", e përgatitur nga Instituti i Monumenteve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës. Ekspozita, që rrëfen rrugëtimin në shekuj të kombit shqiptar, u hap mbrëmë, me një ceremoni rasti në të cilën të pranishëm ishin ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Visar Zhiti, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, deputetë, përfaqësues të ambasadave, arkeologë, arkitektë dhe përfaqësues nga institucione të tjera qeveritare dhe joqeveritare. Ekspozita "Një Komb, Një Kulturë" mbahet nën patronazhin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqit dhe homologut të tij nga Shqipëria, Visar Zhiti.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme hapjen e ekspozitës "Një Komb, Një Kulturë" edhe në Prishtinë, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Visar Zhiti, tha se ky është edhe një hap më shumë në bashkimin shpirtëror të kombit shqiptar dhe rritjes së iniciative të mirëfillta kulturore.
"Jam i bindur se një ekspozitë si kjo do të ndihmojë edhe më shumë në njohjen e kulturës sonë. Ne jemi pjesë e mozaik të kulturës së Ballkanit dhe kjo ekspozitë është një ngjarje përtej kufijve tanë. Kjo ngjarje gjithashtu tregon për një bashkëpunim të shkëlqyer të shteteve tona”, tha ai.
Ministri Krasniqi tha se ekspozita është një vazhdimësi e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, e që ai e ka vlerësuar si model. Ministri shtoi se kjo ngjarje përbën një hap të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore, në lidhjen e kombit, dhe mbi të gjitha për ruajtjen dhe prezantimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Ai falënderoi MTKRS-në e Shqipërisë për bashkëpunimin si dhe përgëzoi gjithë ekipin që ka punuar në sjelljen e kësaj ekspozitë në Muzeun e Kosovës.
"Mendoj se kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme që të gjithë qytetarët, për më tepër gjeneratat e reja të shohin kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore. Është një prej dokumenteve më autentike për mënyrën se si kanë jetuar të parët tanë”, tha ai, teksa shprehu gatishmërinë e MKRS-së së Kosovës që të thellojë bashkëpunimin me institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri, me qëllim të avancimit të kulturës dhe vlerave të mirëfillta.
Kuratori i kësaj ekspozite, drejtori i Institutit të Monumenteve të Shqipërisë, Apollon Baçe, tha se ekspozita është mjaft unike dhe përmban gjetje arkeologjike në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai shtoi se gjithë kjo që prezantohet tregon për një rrëfim unik për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ekspozita është prezantuar edhe në disa qendra të tjera të botës. Në Prishtinë ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 tetor 2013.
(e.m/ata/BalkanWeb)