Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-minsitrit të Punëve të Jashtme Guido Westerwelle hapet libri i ngushëllimeve në Ambasadën Gjermane.

Më 18 mars 2016, në moshën 54 vjeçare në Hamburg, është ndarë nga jeta ish- minsitri i Punëve të Jashtme Guido Westerwelle.

Westerwelle u lind në vitin 1961 në Bad Honnef. Në vitin 1980 u antarësua në Partinë e Lirë Demokratike (FDP). Gjatë viteve 1994 deri 2001 mbajti funksionin e sekretarit të përgjithshëm të partisë dhe më pas deri në vitin 2011 ishte kryetar i saj.

Guido Westerwelle ishte nga viti 1996 deri në 2013 deputetë në parlamentin gjerman (Bundestag). Nga viti 2009 deri në 2013 ishte ministër Federal i Punëve të Jashtme dhe si i tillë deri në maj të vitit 2011 zëvëndëskancelar i Kancelares Federale.

"Dr. Guido Westerwelle ishte për një Gjermani liberale dhe të hapur ndaj botës. Në përpjekjet e tij për një Gjermani dhe Evropë paqësore dhe civile ishte një patriot i vërtetë. Ai kishte qëndrim dhe u ka mbetur besnik në vazhdimësi parimeve të tij thelbësore" u shpreh Ministri i Jashtëm Frank Walter Steinmeier me rastin e vdekjes së Westerwelles.

Nga sot, 21 mars 2016 nga ora 14-17:00 dhe më datë 22 mars 2016, nga ora 10 deri 17:00, në Ambasadën Gjermane në Prishtinë do të hapet libri i ngushëllimeve, në të cilin mund të nënshkruhen të gjithë të interesuarit.