Rruga e Arbrit do të ndërtohet me koncesion. Nga sot deri më 2 tetor, çdo kompani e interesuar mund të paraqesë ofertën për ndërtimin e pjesës së papërfunduar të rrugës që lidh Tiranën me Peshkopinë. Në faqen zyrtare të Prokurimeve Publike është shpallur oferta për rrugën që do të ndërtohet në partneritet publik-privat. Fituesi pritet të shpallet në muajin dhjetor, pas vlerësimit të dokumentacionit.


Gjoka Construction është në avantazh të fortë, pasi vetëm para pak muajsh, kur qeveria miratoi dhënien me koncesion të rrugës, e shpërbleu me një bonus sa 10% të pikëve. Ndonëse ndërtimi do të bëhet me koncesion, kalimi në këtë rrugë do të jetë pa pagesë.


INVESTIMI 

Ky investim është pjesë e projektit të koncesioneve 1 miliard euro, ku çereku i kësaj shume, 250 milionë euro, do të shkojnë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Vepra do të financohet përmes një skeme të përbashkët, ku kompania do të financojë pjesën më të madhe të investimit, rreth 190 milionë euro, ndërsa 60 milionë do të paguhen nga qeveria.


Sipas formës së përzgjedhur, pagesa për koncesionarin do të bëhet me këste për një periudhë 10-vjeçare, ku kësti i parë do të jepet jo më parë se dy vjet pas miratimit të kontratës PPP, shkruan panorama. Veç ndërtimit, kompania që do të fitojë tenderin e Rrugës së Arbrit do të ketë detyrimin për ta mirëmbajtur për 13 vitet e ardhshme. Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 61.6 kilometrash, ndërsa kompania private ka propozuar një gjatësi totale prej 69 kilometrash, përfshi dhe një tunel. E tërë gjatësia e rrugës do të ndërtohet me segmente (të paraqitura në tabelën përbri shkrimit).



VLERA E PROJEKTIT 


Rruga e re kombëtare që nis në dalje të Tiranës, te rruga Myslym Keta, më tej përgjatë Lumit të Tiranës për në Zall-Dajt Bulqizë, Gjoricë përfundon në Bllatë, zonën kufi me ishRepublikën Jugosllave të Maqedonisë. Ajo kalon në dhjetë zona dhe do të shkurtojë me rreth 70 km rrugën aktuale nga Burreli. Veç kësaj, ky projekt ka pritshmëri të krijojë lidhje të mira të rajonit me pjesët e tjera të Maqedonisë e më tutje, promovon zhvillimin ekonomik të zonës, rrit perspektivën e zhvillimit të turizmit e, po ashtu edhe standardet e jetesës në të gjithë zonën. Por, nga ana tjetër, nuk përjashtohen impaktet negative në mjedisin ku kalon rruga.


Shpyllëzimi i disa zonave, ndikim në gjallesat shtazore dhe ujore. Duke qenë se një segment i rrugës kalon përmes Parkut Kombëtar të Dajtit, kërkohet marrja e një vendimi të posaçëm nga qeveria përpara aprovimit të lejes për ndërtimin e rrugës. Qeveria shqiptare programoi ndërtimin e kësaj rruge në vitin 2013, gjatë qeverisjes PS-LSI.


Segmenti I fillon në dalje të Tiranës deri tek Ura e Brarit, aty ku kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës. Gjatësia 1.153 km;


Segmenti II Ura e Brarit-Zall-Bastar, me gjatësi 5.46 km;


Segmenti III Zall-Bastar Dalja e Urës së Vashës, me gjatësi 23.288 km;


Segmenti IV Dalja e Urës së Vashës-Bulqizë, me gjatësi 9715 km;


Segmenti V Bulqizë-Ura e Çerenecit, me gjatës 20.12 km përfunduar në 2009 dhe 2011;


Segmenti VI Sipas projektimit që lidh Urën e Çerenecit me rrugën Maqellarë-Pika kufitare Bllatë, me gjatës 9.111 km;


Segmenti VII Për të plotësuar nevojat e trafikut të ardhshëm, rruga ekzistuese Maqellarë- pika kufitare Bllatë duhet të rikonstruktohet në standardin e një rruge urbane për shpërndarjen e tërë trafikut të Rrugës së Arbrit në drejtim të Peshkopisë dhe Maqedonisë;


Segmenti VIII është degëzimi Ura e Vashës-Klos, me gjatësi 3.092 km.