Rreth 2000 emigrantë janë gati të lenë çadrat e tyre në Greqi e të nisen drejt veriut për të hyrë në Europë, si në kohën e krizës së refugjatëve në vitin 2015. Një numër i madh policësh grekë i ka penguar ata në marshimin e tyre, por në ditën e tretë të grumbullimit, ata shprehen hapur se duan të marshojnë 60 kilometra në drejtim të Maqedonisë së Veriut për të ndjekur itinerarin e Ballkanit si në vitin 2015.


Aktualisht emigrantët banojnë në një kamp afër Diavatas, nga ku ata duan që të nisin marshimin. Në ditët e kaluara u përhap fjala në rrjetet sociale, se kufiri i Greqisë me Maqedoninë e Veriut është hapur. UNHCR ka paralajmëruar që të mos besohen zëra të tillë të përhapur. Emigrantët duhet të kthehen në kampet e tyre, autobusët për këtë janë gati. Edhe ministria greke bëri të qartë se nuk ka kufi të hapur. Policia kritikoi se disa në kampin e Diavatas përdorin gratë dhe fëmijët si pararojë për të thyer bllokadën e policisë.


Ka mes emigrantëve njerëz që duan të provokojnë tensione, tha nëpunësi përgjegjës i Ministrisë së Migrimit për kampet në veriun grek, Nikos Ragkos, raporton DW.


Grumbullime të emigrantëve që duan të udhëtojnë drejt veriut ka pasur edhe në Athinë. 300 vetë të premten aty bllokuan stacionin e kryeqytetit grek. Lëvizja e trenave u pezullua për disa orë. Në kulmin e krizës së refugjatëve u ndërtua një gardh mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky gardh ekziston ende dhe vrojtohet. Me këtë u mbyll gati tërësisht itinerari i Ballkanit. Në vitet 2015 e 2016 erdhën më shumë se 1 milionë vetë përmes këtij itinerari në Gjermani.