Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me keqardhje të thellë mori lajmin për ndarjen nga jeta të Zef Lleshit, atdhetarit të shquar, mbështetësit të UÇK-së dhe babait të dy dëshmorëve të kombit, Memë e Pren LLeshi.




Në këto momente, kryetari Haradinaj ua përcjellë ngushëllimet më të thella Familjes Lleshi, nga fshati Vraniq i Gjakovës, ndan dhimbjen me bashkëfamiljarët e të ndjerit, bashkëluftëtarët, miqtë, të afërmit dhe të gjithë të pikëlluarit tjerë.




Baca Zef, si dhe familja e respektuar të Markalleshëve të Vraniqit, do të kujtohet përherë për kontributin e dhënë në të gjitha fazat e luftës, por edhe të përpjekjeve tona të vazhdueshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, përgjatë gjithë shekullit të kaluar.




Nga kjo familje, e edukuar në frymën e lartë të atdhedashurisë nga të gjithë brezat, në luftën tonë të fundit ranë katër dëshmorë, bijtë e Zef Lleshit, Prena dhe Mema dhe dy të afërmit e tyre, Kolë e Mark Lleshi.




Kjo familje dhe njerëzit e saj ishte njëra prej bazave dhe vatrave të para të organizimit dhe shtrirjes së projektit tonë më të madh për liri, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.




Kujtimi dhe respekti për jetën dhe veprën e Bacë Zef Lleshit, ashtu si dhe për mbarë familjen Lleshi, do të jetë përherë në mbamendjen tonë dhe të brezave pas nesh, thuhet në telegramin e kryetarit Haradinaj, adresuar familjes Lleshi.