Hasan Lika është zyrtarisht trajneri i ri i Apolonisë. Krerët e klubit fierak nuk kanë humbur kohë dhe kanë gjetur drejtuesin e ri të stolit, vetëm pak ditë pas dorëheqjes së serbit Esad Karishik. Ky i fundit u largua nga skuadra së bashku me ndihmësin Kenan Kolashinak, pas humbjes në shtëpi me Kastriotin (me rezultatin 3-2), duke i lënë bardhejeshilët në vendin e tretë në klasifikim, me 17 pikë të grumbulluara në dhjetë ndeshje. Lika është trajneri i gjashtë që emërohet në pankinat e Kategorisë Superiore ende pa mbaruar faza e parë. Fillimisht Mile kishte zëvendësuar Maganin te Shkumbini, ndërsa Magani, nga ana e tij, u bë pasardhës i Memushit te Flamurtari. Në javën e pestë, atëherë kur Lika zëvendësohej nga Luçi te Vllaznia, Canaj mori vendin e Qirjakos te Gramozi, ndërsa rokada e fundit ishte ajo që ndodhi te Tirana pas javës së gjashtë, ku Alban Tafaj u emërua si pasuesi i Ilija Lonçareviç.

Edhe pse Apolonia vazhdon të jetë në luftën për kupat e Europës, Karishik i dha fund bashkëpunimit, një vendim që lidhej kryesisht me pezullimet e Gramit dhe Shoshit nga drejtuesit. Pikërisht kualifikimi i skuadrës në Europë është objektivi kryesor i Likës, i cili e filloi këtë sezon në Shkodër, ku ndihmoi kuqeblutë të kalonin një tur eliminator në Europa League, përballë irlandezëve të Sligo Rovers. Në "Loni Papuçiu" detyra pritet të jetë edhe më e vështirë: kualitetet e bardhejeshilëve nuk diskutohen, por presioni është i madh, pasi skuadra nuk përfaqësohet në arenën ndërkombëtare prej një dekade. Për herë të fundit, Apolonia ka luajtur në Kupën UEFA, në sezonin 1999-2000, ku u eliminuan nga belgët e Genk-ut. "Dua të falënderoj drejtuesit fierakë për ftesën dhe besimin që treguan ndaj meje, për të punuar në stolin e Apolonisë. Skuadra nuk ka kaluar momente të mira, për shkak të rezultateve jo të kënaqshme në dy javët e fundit, por me aq sa e njoh kontingjentin e lojtarëve dhe nëpërmjet punës që do të bëjmë, jam i bindur se do të kemi një ecuri pozitive në kampionat", deklaroi Lika gjatë prezantimit. "E vlerësoj punën që ka bërë paraardhësi im, serbi Karishik dhe së bashku me lojtarët do të japim më të mirën që gjithçka është bërë ta çojmë edhe më tej. Kam ardhur këtu për të realizuar objektivat që drejtuesit kanë përcaktuar në fillim të sezonit, pra për t‘i siguruar Apolonisë një vend në Kupat e Europës. Kam besim te forca e skuadrës dhe shumë shpejt do të gjejmë ritmin e duhur". Nuk kishte si të mungonte edhe thirrja për tifozerinë fierake, e cila ka qenë një "armë" më shumë e skuadrës gjatë ndeshjeve në shtëpi: "I bëj thirrje tifozëve të zjarrtë të Apolonisë, vazhdoi më tej Lika, që të vazhdojnë të kenë besim te ne dhe të na përkrahin ashtu siç ata dinë".

Testi i parë i Hasan Likës me ekipin nga Fieri do të jetë kundër Dinamos. Apolonia, e cila ka nëntë pikë më pak se blutë e Muçës, udhëton të shtunën drejt kryeqytetit, me shpresën që të ngushtojë diferencën. Trajneri është përballur në javën e katërt me dinamovitët, kur në krye të Vllaznisë mori vetëm një barazim pa gola në shtëpi.