Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë me dije se është thirrur për tu intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.


Hashim-Thaçi-1-650x358-600x358


Kreu i shtetit të Kosovës, bën me dije se do të udhëtojë gjatës së hënës së ardhshme për atje.


Më herët, prokurori amerikan pranë kësaj gjykata tha se kishte ngritur akuzë për krime lufte ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, duke i akuzuar ata për vrasjen e rreth 100 personave serbë dhe shqiptarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.


 


Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të presidentit Thaçi:


Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,


Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.


Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.


Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,


Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për tu intervistuar.


Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar ti përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.


Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!


 


Zoti e bekoftë Kosovën! HTH