Debatit të fundit mes Vetëvendosjes e LDK-së për Prishtinën i është bashkuar edhe Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa.

Ai ka ironizuar me moton e Vetëvendosjes për Prishtinën, "Prishtina po bëhet". Ka thënë se duhet ta ndërrojnë në "Prishtina, s'di çka po bëhet", duke marrë shkas për këtë edhenga një deklaratë më e hershme e deputetit të LDK-së, Bardhyl Metaj, që ka thënë se Shpend Ahmeti dhe ekipi i tij s'kanë pasur e s'kanë vizion për kryeqytetin.

"Arban Abrashi, je tendencioz, ke harru me përmend se megjithatë është rritur qarkullimi tek automekanikët. Kjo sepse VV-ja e ka realizuar me shumë sukses projektin e bërjes së Prishtinës dhe rrugëve të saj sallatë. Mirë e thënë nga Bardhyl Meta se s'kanë ide. E kam përshtypjen se do ta ndërrojnë moton nga 'Prishtina po bëhet' në 'Prishtina, s'di çka po bëhet'", ka shkruar Havolli.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka deklaruar më parë se Vetëvendosje në Prishtinë humbi 5 mijë vende pune, ndërsa deputeti Metaj është marrë me suficitin buxhetor në dy vitet e udhëheqjes së Prishtinës nga Shpend Ahmeti.

E ky i fundit, ka shkruar "se kur Isa Mustafa flet për Prishtinën e di se aty shpërfaqet dallimi kryesor në mes te koncepteve të qeverisjes".

Ahmeti ka thënë se ai nuk përmend as çerdhet, as tregun e prodhimeve vendore, as vendet e punës e as rrugët e ndriçimin.