20/04/2012  Ministri i Jashtëm thyen heshtjen


Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, njëherësh ministër i punëve të Jashtme, ka thyer heshtjen duke reaguar nga Brukseli në lidhje me incidentin e ndodhur pak ditë më shtetin helen, i cili nuk lejoi futjen të territorin e tij të gjyqtareve që dënuan kreun e OMONIA-s Naum Disho me 1 vit burg për dhunim të varreve në Boboshticë. Ministri Haxhinasto, duke nënvizuar se me Greqinë ekzistojnë metoda diplomatike të komunikimin, tha se gjithçka duhet ti lihet kohës për të parë efikasitetin e tyre. “Nuk e kuptoj këtë padurim që kanë disa organe të medies apo dhe disa politikanë. Ministria e Punëve të Jashtme ka mënyrat, procedurat diplomatike me të cilat komunikon me Greqinë apo me çdo vend tjetër kur ka çështje të një natyre të tillë. Do të thosha dhe do të garantoja gjithkënd se Ministria e Punëve të Jashtme me marrjen e këtij informacioni dhe njohjen e problemit ka filluar veprimet e saj respektive, të cilat do tia lëmë kohës dhe do të shohim se sa efikase do të jenë”, - deklaroi Haxhinasto. Ai i bëri këto deklarata nga Brukseli, ku ndodhet për të marrë pjesë në ministerialin e NATO-s, i cili i zhvilloi punimet më 18 e 19 prill.