Dash Frashëri



“Në Gjermani janë Shtutgardi e Borusia e Dortmundit që interesohen për Currin e Dallkun, ndërsa në Rusi janë Lokomotiva dhe Dinamo e Moskës”, -kështu u shpreh për “Albania”-n nga Suedia menaxheri i njohur Nexhmedin Haxhiu në lidhje me pistat e mundshme për dy futbollistët e Kombëtares, Debatik Currin e Armend Dallkun, duke hedhur poshtë interesimin e kryesueses së Bundesligës 1 gjermane, Hofenheimit.

CURRI

“Nuk është i vërtetë lajmi për interesimin e Hofenhejmit”, - theksoi Haxhiu, i cili menaxhon tetë lojtarë që aktivizohen në kampionatin ukrainas, përfshirë Debatik Currin, Armend Dallkun, Ahmed Januzin, Robert Grizhën (të katërt të Vorskla Poltavës, - Grizha është huazuar aktualisht te Besa e Kavajës), Dorian Bylykbashin, Ervin Bulkun (të dy të Kribvasit) si dhe maqedonasin Filip Despotovski (Vorskla Poltava) dhe ukrainasin Aleksander Millashchenko (Krivbas). Millashenko ka 20 ndeshje me Kombëtaren e Ukrainës.

HANOVERI

“Hanoveri doli në lojë më shumë si interesim i agjentëve, jo në ndonjë kontakt mes klubesh, ndërsa Borusia vazhdon të mbetet e fortë si pistë. Nga ana tjetër, Lokomotiva e Dinamo e Moskës janë dy emra të mëdhenj të futbollit rus e si profesionistë kanë nisur prej kohësh bisedimet me klubin për të blerë kartonët e Dallkut e Currit, por pengesë mbetet kontrata që ata kanë me klubin deri në vitin 2011. Gjithsesi, klubi mund të lërë të largohet vetëm njerin prej tyre, kurrë të dy në të njëjtën kohë”, - thekson Haxhiu, i cili e ka një peng.

DALLKU

“Sikur përfaqësuesja e Shqipërisë të renditej në vendet 70-80 në klasifikimin e FIFA-s, Dallku tani do të ishte pjesë e Premier Ligës në Angli”, - thotë Haxhiu, i cili po përpiqet të gjejë edhe një destinacion të ri për shkodranin Ervis Kraja, pas angazhimit të këtij të fundit për një vit te Metalurg Zaporozhje.

“Krajën e kërkon një tjetër klub ukrainas dhe besoj se do të arrijmë shumë shpejt akordin”, - tha Haxhiu, i cili menaxhon edhe Shpëtim Babajn e Zorja Luganskut, një ekip tjetër ukrainas me të cilin aktivizohet edhe Parid Xhihani.

BYLYKBASHI

“Bylykbashi e Bulku kanë bërë paraqitje shumë të mira me Krivbasin dhe këtë vit do të luajnë për Dinpron. Besoj se dhe aty do t’ia dalin”, - përfundoi menaxheri Nexhmedin Haxhiu, i cili ka në “pronësi” 25 lojtarë me kontrata profesioniste.







Dhjetë ditë pushim për Lorik Canën



Radiografia e bërë mëngjesin e së martës konfirmoi edhe të “fshehtat” e gjurit të Lorik Canës. Enjtja e gjurit të kapitenit shqiptar të Marsejës është shkaktuar nga dëmtimi i kërcit. Cana duhet të qëndrojë një javë pushim absolut dhe pritet të kthehet në fushë pas dhjetë ditësh. Cana do të mungojë në ndeshjen kundër Okserit, të programuar për ditën e shtunë.





Kastrati: “2009-a do të jetë viti im”



Fortuna Dyseldorf e mbylli fazën e parë në vendin e katërt në Ligën e tretë gjermane, por trajneri Norbert Majer beson te rikthimi në Bundesligën 2. Këtë bindje ka dhe sulmuesi shqiptar Bekim Kastrati. Ish-futbollisti i Kombëtares kaloi një sërë dëmtimesh (vetëm 3 ndeshje këtë sezon), por 29-vjeçari premton: “2009-a do të jetë viti im”.



Henri Shiba firmos për Çelanon



Mesfushori sulmues shqiptar, 20-vjeçari Henri Shiba, nënshkroi për klubin italian të Serisë C, Çelanon. Ish-futbollisti i Shpresave, i cili pati dhe një konflikt me trajnerin Artan Bushati pas ndeshjes miqësore me Turqinë, prishi kontratën me Kavesen pas një viti aktivizim me të.



Rijat Shala në fokusin e Foxhas



Rijat Shala prishi në mënyrë konsensuale kontratën që e lidhte me klubin italian të Serisë C1, Taranto Sport. Ish-mesfushori i Kajlarit aktualisht ndiqet nga Foxha dhe nga disa klube gjermane. 25-vjeçari Shala është lojtari i dytë që prish kontratën me Taranton, pas Ivica Guberac.



Plaku, përfundimisht i HamKamit



Sebino Plaku do të luajë për HamKamin në kampionatin norvegjez të futbollit, që nis sezonin në muajin mars. Golashënuesi më i mirë sezonal i bluve nuk do të jetë më pjesë e Dinamos, tek e cila luajti me huazim. Menaxheri i Plakut, Gëzim Mançe, ka kërkuar nga klubi norvegjez një vend titullari në sezonin e ri.



Keri nënshkruan për Iraklisin



Florenc Keri është përforcimi i ri i Iraklisit në Greqi. Për talentin 18-vjeçar beratas u fol më parë se kishte nënshkruar për Bajernin e Munihut gjatë verës së kaluar. Te Iraklisi kanë luajtur Sokol Kushta, Lefter Millo, Altin Haxhi, Edvin Murati, Indrit Fortuzi, Andi Lila, Ervis Kraja. Aktualisht, portieri i tretë i Iraklisit është Enea Koliqi.







7 Janar 2009