EKSKLUZIVE - “Në Gjermani janë Shtutgardi e Borusia e Dortmundit, që interesohen për Currin e Dallkun, ndërsa në Rusi janë Lokomotiva dhe Dinamo e Moskës”. Kështu u shpreh për “Albania-sport.com” nga Suedia, ku ndodhet momentalisht, menaxheri i njohur Nexhmedin Haxhiu  në lidhje me pistat e mundshme për dy futbollistët e Kombëtares, Debatik Currin e Armend Dallku, duke hedhur poshtë interesimin e kryesueses së Bundesligës 1 gjermane, Hofenheimit.



“Nuk është i vërtetë lajmi për interesimin e Hofenhejmit”, - theksoi Haxhiu (ne foto me Currin), i cili menaxhon tetë lojtarë, që aktivizohen në kampionatin ukrainas, përfshirë Debatik Currin, Armend Dallkun, Ahmed Januzin, Robert Grizhën (të katërt të Vorskla Poltavës, - Grizha është huazuar aktualisht te Besa e Kavajës),  Dorian Bylykbashin, Ervin Bulkun (të dy të Kribvasit) si dhe maqedonasin Filip Despotovski (Vorskla Poltava) dhe ukrainasin Aleksander Millashchenko (Krivbas). Millaschenko ka 20 ndeshje me Kombëtaren e Ukrainës.





Ne foto me Ahmed Jonuzin

“Hanoveri doli në lojë më shumë si interesime të agjentëve, jo në ndonjë kontakt mes klubesh, ndërsa Borusia vazhdon të mbetet e fortë si pistë. Nga ana tjetër, Lokomotiva e Dinamo e Moskës janë dy emra të mëdhenj të futbollit rus, e si profesionistë kanë nisur prej kohësh bisedimet me klubin për të blerë kartonët e Dallkut e Currit, por pengesë mbetët kontrata që ata kanë me klubin deri në vitin 2011. Gjithsesi, klubi mund të lërë të largohet vetëm njeri prej tyre, kurrë të dy në të njëjtën kohë”, - thekson Haxhiu, i cili e ka një peng.



“Sikur përfaqësuesja e Shqipërisë të renditej në vendet 70-80 në klasifikimin e FIFA-s, Dallku tani do të ishte pjesë e Premier Ligës në Angli”, - thotë Haxhiu, i cili po përpiqet të gjejë edhe një destinacion të ri për shkodranin Ervis Krajën, pas angazhimit të këtij të fundit për një vit te Metalurg Zakarpatia. 



“Krajën e kërkon një tjetër klub ukrainas dhe besoj se do të arrijmë shumë shpejt akordin”, - tha Haxhiu, i cili menaxhon edhe Shpëtim Babajn e Zorja Luganskut, një ekipi tjetër ukrainas me të cilin aktivizohet edhe Parid Xhihani.



Ne foto me Ervin Bulkun



“Bylykbashi e Bulku kanë bërë paraqitje shumë të mira me Krivbasin dhe këtë vit do të luajnë për Dinpron. Besoj se dhe aty do t’ia dalin”, - përfundoi menaxheri Nexhmedin Haxhiu, i cili ka në “pronësi” 25 lojtarë me kontrata profesioniste.






Me Dorian Bylykbashin


E Marte, 06 Janar 2009