Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e kësaj të mërkure veprimet e mjekëve ligjorë në Gjirokastër dhe Tiranë, të cilët i cilësuan si të lehta goditjet që i shkaktuan një qytetari hemorragji në tru.


Niko Kadëna qëndroi për 23 ditë në spital, ku për 17 ditë, sipas dokumenteve nga Spitali Omer Nishani i Gjirokastrës, ishte në gjendje të rëndë. Gjatë kësaj kohe filluan hetimet nga prokuroria dhe, pas disa akteve të ekspertimit, rezultoi se plagët që kishte marrë ishin të lehta.


Më 1 tetor 2017, një fqinji im më goditi me sende të forta në kokë. Më goditi pasi unë të nesërmen do të takoja drejtorin e Policisë së Gjirokastrës. Kishte doreza dhe sende të forta. Nga goditja humba ndjenjat dhe jam përmendur në spital, thotë qytetari, ndërsa shton se ka bërë edhe denoncim në polici.


Sipas tij, në spital ka qenë për 17 ditë në gjendje të rëndë dhe kishte të vjella, marrje mëndsh, humbje të aftësisë.


U kurova te kirurgu Arben Kuro. Më ka shpëtuar Zoti, pasi kisha hemorragji në tru. U bë skaneri të nesërmen, kisha gjak në tru. Deri në 17 ditë nuk lëvizja dot nga vendi. Edhe sot e kësaj dite nuk jam në gjendje pune, më merren mëndtë, thotë ai.


Më tej ai shton se e ka pyetur disa herë kirurgun Arben Kuro, i cili i ka thënë se vetëm goditje e lehtë nuk është. Ai shton se bëri riekspertim në Tiranë dy herë, te doktor Elmas Shaqiri.


Edhe ky doktor e nxjerr goditje të lehtë. Doktorit ia çova të gjitha dokumentet dhe më thanë se nuk hyn në plagosje e rëndë. Si ka mundësi?! Kërkoj drejtësi, riekspertim! Të verifikohen këta doktorë, nëse e kam fajin unë, të dënohem penalisht unë, përfundoi qytetari Niko Kadëna.


Pas ankesës, qytetari shkon në Spitalin e Gjirokastrës dhe takon doktorin Arben Kuro, i cili ka bërë aktin e ekspertimit të parë dhe ka ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të tij. Mjeku pranon se qytetari ka pasur një dëmtim të rëndë, ka qëndruar në gjendje të rëndë në spital për 17 ditë.


Sipas tij, dëmtimi ka qenë i rëndë, po i takon ekspertit mjekoligjor nga Tiranë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për plagosje e rëndë apo plagosje e lehtë. Doktori thotë se qytetari ka bërë 3 skanera dhe ka shkruar në kartelë që dëmtimet janë të rënda.


Goditja jote kur erdhe në spital në fillim ishte e rëndë. Ai mjekoligjor ta gjykojë, se ai ka dokumentacionin. Është specialist që gjykon për atë punë, thotë kirurgu, ndërsa i thotë edhe njëherë qytetarit se goditja ishte e rëndë.


Më pas, qytetari shkon tek Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të takuar ekspertin Elmas Shaqiri dhe drejtorin Bledar Xhemali. Kontakton me një punonjës policie, i cili shkon brenda dhe kërkon që qytetari të takohet me mjekoligjorët.







Punonjësi i policisë takon ekspertin Elmas Shaqiri, i cili nuk pranon të takojë qytetarin, duke i çuar fjalë se çështja ime me të ka mbaruar, le të shkojë në prokurori. Qytetari i shpjegon policit se ka pësuar plagosje të rëndë dhe kërkon ti takojë me çdo kusht. Punonjësi i policisë shkon sërish të komunikojë me mjekoligjorët dhe kthehet pas disa minutash dhe i thotë se është i zënë.


Pas disa orësh, qytetari shkon sërish te Mjekësia Ligjore për të takuar drejtorin dhe mjekoligjorin. Nuk e presin. Telefonon mjekoligjorin dhe sërish nuk e presin, i thonë shëndet.


Këtë kërkon edhe qytetari, pra shëndetin. Pas plagosjes, ai ankohet për dhimbje të vazhdueshme koke, si pasojë e hemorragjisë. Deri më tani ka kërkuar vetëm drejtësi, duke ua kërkuar institucioneve përkatëse, por ende nuk e ka marrë!


BISËDË MES QYTETARIT DHE MJEKUT ARBEN KURO


Qytetari: Kjo është tëndja (ekspertimi). Po nuk është thotë goditje e rëndë.

Doktori: Kush thotë?

Qytetari: Ai (eksperti i IML Tiranë).

Doktori: Po ai është specialist për atë punë. Ai ka kartelën në dispozicion, ka skaner, ka të tëra që i shikon dhe gjykon. Janë bërë tre skanera, ke qëndruar 17 ditë që je mjekuar rregullisht, çja fut kot tani.

Qytetari: Tani, kjo faktikisht, është goditje e lehtë, apo goditje e rëndë?

Doktori: Cila?

Qytetari: Goditja time që u kurova.

Doktori: Goditja tënde kur erdhë në spital në fillim qe e rëndë.

Qytetari: Pastaj, pas 15 ditësh

Doktori: Pastaj u mjekove ti.

Qytetari: U mjekova, në fillim unë nuk lëvizja dot nga vëndi.

Doktori: Po normale ooo.

Qytetari: Apo jo?

Doktori: Ndaj është specialist ai për atë punë, që paguhet për atë punë.

Qytetari: Thotë, që duhet ta kishte shkruar këtu

Doktori: Kush thotë?

Qytetari: Thotë ai në gjyq.

Doktori: Ëhë, ëhë.

Qytetari: Duhet ta kishte shkruar dëmtimet e mësipërme hyjnë në dëmtime që sjellin humbje të aftësisë në punë. Duhet të thoshte, mund të vdiste, ose humbjen e jetës.

Doktori: I kam shkruar të tëra lartë unë, janë në kartelë ato, gjëndja e përgjithshme. Ti ke ardhur, si je mjekuar dhe të tëra. Ai për atë punë është, që lexon dokumentacionin dhe arrin në përfundimin.

Qytetari: Mbi 9 ditë kalon thotë, po duhet të jetë e rrezikshme për jetën, duhet ta kishe shkruar.

Doktori: Ta gjykoi ai (eksperti i IML-së). Ta gjykoi ai, se ai ka dokumentacionin. Ai është specialist që gjykon për atë punë. Ai është ekspert mjeko ligjor.

Qytetari: Përfundimisht doktor, kalon kjo në gjëndje të rëndë?

Doktori: Po patjetër që është.

Qytetari: Ëëë.

Doktori: Po patjetër, ai ka të gjithë dokumentacionin që ke ardhur ti, si ke ardhur ti në spital, ke skanerin e parë, skanerin e dytë dhe skanerin e tretë.

Qytetari: Ai duhet ta thoshtë të rëndë. Ai thotë në një vend, goditje e rëndë, po prapë

Doktori: Po pse çfarë do ti themi prapë ne atij, ai i gjykon gjërat.

Qytetari: Po unë deri në 15 ditë deri në 17 ditë isha keq more.

Doktori: Normale.

Qytetari: Isha keq more, më merreshin mënd, kisha probleme.

Doktori: Tani e ka gjykata në dorë, çfarë vendimi do marrë gjykata dhe çdo kërkojë prokurori.


31 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)