Katër të rinj të mbetur të bllokuar në shpatin e thepisur të malit të Murganës në fshatin Sotirë, një kilometër larg kufirit me Greqinë nuk do mund të kishin shpëtuar, nëse në ndihmë nuk do shkonte një 70-vjeçar.



Ai është Lefter Goga nga fshati Vrisera në Dropull, që u bë heroi i një ngjarjeje të pazakontë.


Lefteri pa të cilin vështirë se do tja kishin dalë forcat Delta dhe zjarrfikësit, iu rikthye shpatit të thepisur pas rreth 30 vjetësh që jeton në emigracion.


Ai udhëhoqi forcat e shpëtimit në një rrugëtim që kërkoi rreth 5-6 orë ecje me këmbë.


Në atë vend nuk shkonte asnjeri, vetëm unë dhe një tjetër, pasi e dinim rrugën se punonim atje. Ata kishin një zjarr të ndezur. Ne zbritëm poshtë të lidhur, u shpreh 70-vjeçari.


Katër të rinjtë ishin nisur prej fshatit Selo për të mbërritur në Sotirë nëpër një terren të thepisur malor me thyerje të forta dhe dëborë të dielën në mëngjes. Me rënien e errësirës grupi humbi orientimin brenda një pylli të njohur si Gështenjat e Djegura.


Të rinjtë treguan se kishin ndezur zjarr për të përballuar natën dhe të ftohtin por u detyruan të kërkojnë ndihmë për shkak se po dehidratoheshin pas mungesës së ujit prej 12 orësh. Një helikopter ushtarak që u thirr për ndihmë arriti vetëm të lokalizojë territorin, por nuk mundi të ulet edhe pse tentoi disa herë. Prefekti i qarku që drejtoi gjithë operacionin tha se pa ndihmën e 70 vjeçarit gjithçka do ishte më e vështirë.


Grupi i djemve mes 25-27 vjeç miq me njëri-tjetrin realizonin shpesh ngjitje alpinistike dhe ecje në mal së bashku.


13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)