I sheh kudo në Kryeqytet. Ata janë katër të mitur të cilët enden çdo ditë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar lëmoshë për të mbijetuar. Të rraskapitur të zhveshur e zbathur, flenë në trotuarë… Djelli i mëngjesit i zgjon vogëlushët për një ditë të re e cila nuk përngjan me intinerarin e zakonshëm të çdo fëmije. Ata duhet të “mbushin barkun” kjo është përgjigjia që morrëm pasi i pyetëm. Edhe pse të pyesësh në rrethana të tilla, tek i sheh të shtrirë në gazeta e kartonë , duket e kotë pasi këto pamje flasin sa për një mijë fjalë. Por historia e tyre tregon shumë. Migeli është një djale i shkathët dhe energjik. Ai është 10 vjeç dhe jeton sëbashku me familjen e tij në zonën e Bregut të Lumit. Çdo ditë ai kërkon sëbashku me 3 miqtë e tij lëmoshë tek kalimtarët e rastit. Përballet me indiferencën dhe keqardhjen e shumë prej tyre. Një ditë me fat, sipas Migelit është kur në mbrëmje gjumi e zë të ngopur. Paratë që ai “fiton” i çon në shtëpi .
“Dal herët në mëngjes, dhe në mbrëmje iki në shtëpi. Kur kam fat grumbullojë 500 lekë por ka raste që njerëzit më japin edhe më shumë. Të gjitha ato që marr i çoj në shtëpi për nënën dhe motrat e mia të cilat janë shumë të vogla” thotë ai. Qëndrojmë me të teksa, rrëfen për jetën e tij. Babi i Migelit është ndarë nga jeta dy vjet më parë. Djaloshit 10 vjeçar i është dashur të përkujdeset për motrat dhe nënën e tij. Në Bregun e Lumit ata jetojnë në një kasolle të ndërtuar me kartonë, llamarinë e gjithfarë materialesh të tjera të gjetura në rrugë. Gjatë dimrit shiu depërton kudo, ndërsa gjatë verës bën shumë nxehtë. Nëna e Migelit lyp dhe mbledh kanaçe, motrat janë të vogëla dhe presin nga vëllai dhe nëna. “Kur të rriten edhe ato do të dalin në rrugë” thotë vogëlushi. Rruga e ka përballur atë me shumë peripeci, me kalimtarë dashakeqës si dhe bujarë. Shpesh herë ai është goditur e rrahur nga shumë njerëz të cilët ai i përkufizon si të “këqinj”.
“Kur lyp ndodh që shumë, më largojnë duke më sharë, por ka edhe nga ata të cilët më kanë rrahur. Ka më shumë njerëz të këqinj sesa të mirë” shprehet Migeli. Kur e pyet për shkollën ai hesht, ul sytë, ngre dy duart dhe përgjigjet se e ka të pamundur ta ndjekë atë. Do të dëshironte shumë por “puna” e përditshme nuk ja lejon. Ajo që të tremb më shumë në rrëfimin e këtij 10 vjeçari është se ai kurrë nuk ka patur një lodër “kur ka qenë i vogël” pasi tashmë ai ndjehet i rritur. Që në moshën 5 vjeçare ka dalë në rrugë për të lypur. Dita e Migelit nis dhe përfundon me shpresën se sot do të takojë njerëz më “bujarë” të cilët do ti falin më shumë para. Zona e Bregut te Lumit në kryeqytet është një nga periferitë në të cilën banojnë qindra familje rome. Të brakstisur dhe në mëshirë të fatit ,burra, gra dhe fëmijë dalin çdo ditë rrugëve. Të paarsimuar dhe papërkrahje për të mbijetuar ata kanë zgjedhur “lypjen” .
Eriselda Martini