BESIM NDREGJONI


Në një klimë të politizuar dhe të befasuar nga kabllogramet  e Ambasadës Amerikane, politika filloi të japë deklaratat e para dhe në lidhje me problemet e të përndjekurve politikë. Patetizmi, demagogjia, formalizmi, këto janë pjesë e sjelljes së politikanëve ndaj problemeve me të vërtetat e ballafaqimit të integrimit të të përndjekurve politikë shqiptarë. Politika e ashtuquajtur e djathtë apo e qendrës së djathtë, siç pretendojnë drejtuesit e saj, nuk ka aksese e sensiblitet ndaj të vërtetës së qëndresës dhe sakrificave të ish të përndjekurve politikë ndaj regjimit komunist. Këto sjellje, politika i përdor sa herë e sheh veten në vështirësi. Kryeministri deklaroi këto ditë se shteti shqiptar do të ndërtonte një muze në ish-kampin e të dënuarve politikë të Spaçit. Pse ishte patetike kjo deklaratë? E para, kur është ndërtuar kampi i të dënuarve politikë në Spaç, kundërshtarët politikë të regjimit komunist kishin me shumë se 25 vite që pushkatoheshin, dënoheshin apo persekutoheshin në kampe mizore si Spaçi. Diktatura komuniste nuk e filloi luftën ndaj kundërshtarëve të saj në vitet 70, kur u ndërtua Spaçi. Në këtë kohë, diktatura po dënonte pjesën e saj, siç ishin të ashtuquajturit grupe armiqësore, revizionistë që pillte mendja e diktatorit, nga administrata dhe bashkëpunëtorët e pushtetit komunist. Sot, mbas 20 vitesh, kur e gjithë Europa Juglindore që kishte sisteme komuniste liberale i dënoi krimet komuniste dhe ka ndërtuar muze e përmendore në kryeqytetet e saj, politika e Tiranës nuk ka ndërtuar asnjë muze. Madje, edhe ish-kinema 17 nëndori-n, ku u dënuan kundërshtarët politikë e prishën për interesa mafiozë ndërtimi për pasurimin e politikaneve.

Pse nuk dënohen krimet e komunizmit

Kemi më shumë se dy vite që kemi vendosur në sheshin Skënderbej një pllakë memorial, ku pasqyrohet bilanci i krimit komunist për 45 vite diktature, dhe qeveria apo Bashkia e Tiranës nuk mendonin fare për ta ndërtuar këtë memorial, me gjithë kërkesat tona të përditshme me shkrim dhe me media. Le të ndërtohet muzeu i përndjekjes në Tiranë, Shkodër, në Burrel, ku është mbushur fusha e këtij burgu me eshtrat e intelektualëve dhe familjeve fisnike që mbrojtën dhe ndërtuan shtetin shqiptar. Jemi i vetmi vend në Europë që kemi pasur një diktaturë terroriste dhe nuk kemi një muze, një përmendore për të përjetësuar krimet e këtij terrorizmi. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk është një problem i të përndjekurve politikë, por i mbarë shoqërisë që e kaloi atë periudhë diktatoriale. Por, këtë nuk mund ta dënojnë ata politikanë që kanë qenë pjesë e diktaturës. Politika postkomuniste i friket së vërtetës dhe, kur nuk ballafaqohesh me të vërtetën, përdor patetizmat për ta mbuluar atë.

Mashtrimi me dëmshpërblimin

Pika e dytë e deklaratës së Kryeministrit ishte kompensimi i të përndjekurve, jo dëmshpërblimi i kolaboracionistëve. Afati i dëmshpërblimit është shkelur dhe, kur shkelen afatet, shkelet ligji, e kur shkel ligjin, atëherë duhet të përgjigjesh për këtë shkelje. Kështu funksionon një shtet dhe sistem demokratik në një shoqëri demokratike, ku pretendojmë se jemi futur. Administrata e papërgjegjshme, që ka detyrimin ligjor për të kryer dhe zbatuar këtë ligj kushtetues, është përgjegjëse. Në bazë të ligjit selektiv që ka aprovuar kjo maxhorancë për dëmshpërblimin, është e shkruar se për 8 vite do të marrin dëmshpërblimin, pra i bie 1% e ish-të përndjekurve çdo vit. Por, nga ana tjetër, ka tri vite që nuk merret dëmshpërblimi, duke përdorur makinacione për ta lënë në sorollatje me ca nëpunës këtë të drejtë ligjore të ish të përndjekurve politikë. Këta nëpunës ende i quajnë dhe i trajtojnë të përndjekurit si armiq të pushtetit. Sa për kolaboracionistët, fatkeqësisht për komunistët dhe politikanët shqiptarë jemi i vetmi vend në Europë që Gjykata Ndërkombëtare nuk ka dënuar asnjë shqiptar si bashkëpunëtor të fashizmit dhe nazizmit. Pra, jemi krenarë se shqiptarët nuk ishin pjesë e bashkëpunëtoreve të diktaturës nazi-fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pretendohet se ka fryrje në numrin e të përndjekurve. Numrin real nuk e përcaktojmë ne të përndjekurit, atë e përcakton ligji, e përcaktojnë të drejtat dhe liritë që i janë mohuar në regjimin totalitar komunist. Këtë ligj e këtë njohje e ka bërë Parlamenti i parë pluralist i Shqipërisë, pra e kanë përcaktuar ligjvënësit dhe jo të përndjekurit. Ne e kemi denoncuar kompensimin, sepse është selektiv dhe këtë e kanë bërë ligjvënës tek e djathta, që i përkasin diktaturës dhe kanë një urrejtje ndaj nesh si kundërshtarë të regjimit. Po të lexosh kabllogramet e fundit për të përndjekurit politikë, jo vetëm që nuk ka fryrje të numrit të të përndjekurve, por ka selektim të këtij numri dhe vazhdon pengesa administrative për dëmshpërblimin. Të përndjekurit politikë po ballafaqohen me një luftë të dytë klasash, që bëhet ndaj kësaj pjese të shoqërisë së martirizuar deri në vdekje nga diktatura.

Pse është e vështirë të integrohen të persekutuarit

Vështirësia vjen nga ndërgjegjësimi i klasës politike, e cila duket se nuk ka harruar strategjinë e ndërtuar që në fund të viteve 80 e fillim të viteve 90 me planin e Katovicës. Në kujtesën tonë është fjalimi i diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alia, ku të përndjekurit nuk i lejojnë të krijojnë parti politike dhe i paraqet para ndërkombëtareve se këta do të marrin hak po të vijnë në pushtet. Ata përdorën harresën ndaj integrimit tonë, demagogjinë dhe shashkat politike për të pasur votues, duke ditur se ne nuk mund dhe nuk votojmë asnjëherë për PS-në. Pra, politika e djathtë përfaqësoi heshtjen. Me këtë heshtje ne shqiptarët po zhytemi në moçalin e mëkatit, që refuzojmë të njohim. Në Shqipëri, jo vetëm që sështë dënuar krimi dhe krimineli, por të përndjekurit politikë vazhdojnë të vuajnë pa punë, pa strehë e pa përkrahje dhe mirënjohje, kur ata janë 40 % e shoqërisë shqiptare. Partitë politike shqiptare gjatë 20 viteve të pluralizmit nuk kanë në programet e tyre dokumentimin e krimit komunist 45-vjeçar. Prandaj, sot Shqipëria jeton në mes të së vjetrës, që refuzon të vdesë dhe së resë, që nuk lejohet të lindë. Integrimi i të përndjekurve politikë kërkon strategji kombëtare, të cilën fatkeqësisht partitë politike nuk e bëjnë se janë parti tipike komuniste me mentalitet dhe strategji.

Fatkeqësisht, çdo ditë vdesin ikonat e qëndresës antikomuniste. Vuajtja, mosha dhe problemet shëndetësore janë faktorët që ata ndahen nga kjo jetë, në një skamje dhe përçudnim të politikës që i gënjen dhe u merr votën. Me marrjen e pushtetit, politika thërret në administratë ish-sigurimsat, ish-individët më të zellshëm të diktaturës, duke i penalizuar moralisht këta qëndrestarë dhe duke pasuruar ata që dje u mohonin çdo gjë njerëzore. E votojmë të djathtën, jo për të përdorur këtë strategji kriminale ndaj nesh, por për të promovuar në drejtimin e shtetit fisnikërinë, qëndresën dhe dinjitetin tonë, që i jep moralin ndërtimit të një shoqërie të pastër demokratike dhe aspak hakmarrëse. Sjellja e pushtetit me ne është një dënim në heshtje. Ka ende mijëra eshtra të pagjetura. Pak muaj më parë, qeveria shqiptare pretendoi se do të ishte aktive në gjetjen e tyre. Jo vetëm u harrua, por ska ndonjë strategji për ti kërkuar. Kosova, e pushtuar 100 vjet nga serbët, kërkon eshtrat e 2500 qytetarëve të saj të zhdukur. Diktatura komuniste shqiptare ka vrarë mbi 6000 kundërshtarë të regjimit dhe prej 20 vitesh, ne kërkojmë eshtrat e 4500 qytetarëve të zhdukur që ti varrosim pranë familjeve të tyre, dhe shteti ynë demokratik hesht. Arsyetimet se skemi dokumente, nuk kemi dokumente në arkiva etj., i kanë bërë familjet e persekutuara shqiptare të sorollaten më kot për të gjetur eshtrat e njerëzve të tyre, që e deshën Shqipërinë pa komunizëm. Është formuar formalisht një Task-Force për të gjetur eshtrat dhe ka dy vit