Bashkimi Evropian do të hartojë një raport të plotë për ngjarjen e Gërdecit, bashkë me shkaqet, pasojat dhe detyrat që i dalin Shqipërisë pas ngjarjes më të bujshme të vitit 2008. Nga burime diplomatike mësohet se Komisioni Evropian ka nisur që prej majit të këtij viti një "hetim" të plotë të katastrofës njerëzore, por edhe fenomenit që ka sjellë atë, korrupsionin. Nga Brukseli pritet të dalë në muajt në vazhdim një material i zgjeruar, ku do të trajtohet e gjithë tragjedia që nga fillimi, faktet e renditura, hetimet, shkaqet, por edhe zhvillimet politike rreth të gjithë kësaj. Më pas, materiali pritet të trajtojë arsyet por edhe përfundimet, duke renditur edhe përfundimet për Shqipërinë. Ende nuk është vendosur nëse raporti do të jetë i bashkëngjitur me Progres-Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2008 për Shqipërinë, i cili do të shpërndahet më 4 nëntor, apo mund të jetë një material tjetër, i cili do t‘i paraqitet qeverisë shqiptare si një kusht suplementar për integrimin në Bashkimin Evropian, përveç standardeve të përcaktuara qartë. Prej kohësh, stafi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, por edhe zyrtarë në Bruksel, ka kryer një mision faktmbledhës për të gjithë tragjedinë e Gërdecit, por edhe dimensionet e rëndësishme politike që solli ajo në jetën e Shqipërisë gjatë vitit 2008. Megjithatë, nga burime diplomatike mësohet se Progres-Raporti i BE-së për vitin 2008 padyshim që do të ketë të inkorporuar një pjesë kushtuar ngjarjes së vitit, si dhe rekomandimeve që priten t‘i bëhen qeverisë shqiptare për luftën ndaj korrupsionit, si dhe pavarësinë e Prokurorisë dhe në përgjithësi sistemit gjyqësor në vend.



Vizita në Gërdec



Një delegacion i Komisionit evropian, i kryesuar nga kreu i Departamentit për Shqipërinë në Bruksel, Dirk Lange dhe kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan, kanë zgjedhur një vizitë në Gërdec dhe qytetin e Vorës për të verifikuar procesin e përgatitjes së regjistrit themeltar të zgjedhësve dhe listave elektorale. Mesazhi politik i kësaj vizite të zyrtarëve të Bashkimit Evropian ka qenë i qartë: Brukseli kërkon që perfeksioni në zbatimin e standardeve të zgjedhjeve të vitit 2008 duhet të nisë që nga zona më e goditur nga katastrofa e Gërdecit.



Progres raporti



Më 4 nëntor, pas miratimit në Bruksel, pritet që dokumenti kryesor i vlerësimit të punës për qeverinë shqiptare të dorëzohet në skrivanitë e Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Progres raporti i këtij viti pritet të jetë një dokument më i zhveshur nga gjuha diplomatike dhe të përmbajë një paralajmërim për vitin pasardhës. Thelbi i mesazhit të Brukselit pritet të jetë: Nëse nuk do të ketë zgjedhje tërësisht të lira dhe të ndershme, mund të kthehet prapa gjithë procesi i arritur deri tani për integrimin në Bashkimin Evropian.