TIRANE- Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste Arta Dade, rrezikon dënimin me 1 vit burg pas incidentit që pati me Edrin Lufin, nip i ish-kryeministrit komunist, Adil Çarçani. Prokuroria e Tiranës i kërkoi gjykatës cilësimin fajtor dhe dënimin me 12 muaj burg për Dabullën, i cili akuzohet për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Dabullës i ulet një e treta e masës së dënimit, nëse kërkesa e prokurorisë miratohet nga gjykata.

Fillimisht, ndaj djalit të deputetes socialiste rëndonte dhe akuza e plagosjes së Edrin Lufit, nipit të ishkryeministrit të fundit komunist, Çarçani. Por tërheqja e Lufit e shpëtoi Dabullën nga kjo akuzë. Nipi i ish-kryeministrit deklaroi se me Besnik Dabullën ishin miq prej vitesh. Madje në një deklaratë të dhënë para noteres Shpresa Gjoci, i plagosuri Edrin Lufi shprehej se “përjashtoj çdo lloj mundësie që Besnik Dabulla të më ketë goditur”.
(m.a/GSH/BalkanWeb)