Partia Socialiste ka planifikuar të depozitojë kërkesën për krijimin e komisionit hetimor parlamentar, i cili do të zbardhë manipulimet e ndodhura në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kjo kërkesë e selisë rozë pritet të bëhet qysh në ditët e para të krijimit dhe funksionimit të Parlamentit të ri. Grupi Parlamentar do të depozitojë kërkesën për krijimin e komisionit hetimit parlamentar dhe sipas ligjit, drejtimi i komisionit do t’i besohet opozitës. Sipas burimeve në Partinë Socialiste, kësaj kërkese do t’i bashkëngjitet edhe emri i kryetarit të komisionit. Burimet konfirmuan se do të jetë deputeti socialist i zgjedhur në qarkun e Beratit, Erion Braçe. Propozimi i emrit të Braçes për drejtimin e komisionit hetimor parlamentar për zbardhjen e manipulimeve në zgjedhje ka lidhje me faktin se Braçe është zgjedhur deputet në qarkun e Beratit. Në këtë qark Partia Socialiste pretendon se i është grabitur një mandat nga maxhoranca aktuale dhe kjo është edhe arsyeja kryesore që selia rozë nuk do ta njohë legjitimitetin e Parlamentit dhe qeverisë së re. Partia Socialiste pretendon se i është mohuar mandati i pestë, pasi KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor refuzuan që të hapeshin disa dhjetëra kuti votimi në zonat ku cilësohen si bastione të saj. Por sigurisht që hetimi që do të bëjë komisioni parlamentar nuk do të ketë vetëm lidhje me qarkun e Beratit, por edhe me qarkun e Shkodrës dhe të Tiranës. Edhe në këto dy qarqe Partia Socialiste ka kontestuar rezultatin dhe ka pretenduar se i janë grabitur mandatet.











4 Gusht 2009