Përballja në hetuesi e Kadri Hazbiut me akuzat e ish-miqve e kolegëve të tij, të cilët e etiketonin si agjent të jugosllavëve dhe njeriun e besuar të Koçi Xoxes. Kadri Hazbiu i cilëson thëniet e tyre si shpifje dhe provokacion




Hazbiu: Plani i Mehmet Shehut për


të përdorur tanket kundër pushtetit



Zbardhet proces-verbali i marrjes në pyetje të Kadri Hazbiut, ku dëshmon për planin e Mehmet Shehut për të marrë nën kontroll tanket. “Unë them se kjo është një çështje me rëndësi të madhe, që ka të bëjë me planin e Mehmet Shehut për të përdorur tanket ose për t’i bllokuar ata në një situatë të caktuar, kur do të vepronte ai”




I shpallur “armik” dhe i hetuar për gjithë veprimtarinë e tij në krye të Sigurimit, marrja në pyetje e Kadri Hazbiut ka kaluar përmes situatash të vështira e tonesh të ashpra. Disa nga këto momente kanë ardhur për shkak të përballjes me deponimet e ish-miqve të tij, Nesti Kerënxhi, Feçorr Shehu, Llambi Peçini, Fiqret Shehu e Mihallaq Ziçishti, të cilët e akuzonin Kadri Hazbiun si njeri të jugosllavëve, krahun e djathtë të Koçi Xoxes apo adhurues të Titos. Në proces-verbalet e hetuesisë që “MAPO” zbardh sot nga libri më i ri i Kastriot Dervishit do të lexoni dëshminë e Kadri Hazbiut për marrëdhëniet me jugosllavët, lidhjen me Dushan Mugoshën e porositë që Xoxe u jepte vartësve, gjatë një mbledhjeje në shtëpinë e tij. Në këtë pjesë është edhe dëshmia e tij për një urdhër të dyshimtë të Mehmet Shehut, mbi një plan për vënien nën kontroll të tankeve.


Pyetje: Kur dhe në ç’rrethana jeni njohur me Nesti Kerenxhin dhe cilat kanë qenë marrëdhëniet midis jush?


Përgjigje: Me Nesti Kerenxhin jam njohur në janar të vitit 1945, kur jam transferuar në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit në detyrën e shefit të sektorit të mbrojtjes për ushtrinë. Përfundimisht paraqitem te Nesti Kerenxhi, i cili më priti, më vuri në dijeni për funksionin, më njohu me shokët e sektorit, Argjir Lipivanin, Thoma Vangjelin e një ose dy të tjerë, që tash nuk më kujtohen. Mbas disa ditëve më dha udhëzimet si duhet organizuar Sigurimi në ushtri duke filluar nga struktura legale në divizion e brigadë dhe organizimin e rrjetit me të besuar, siç quheshin në atë kohë. Këto detyra ishin: zbulimi i kriminelëve të luftës, propagandës, parullave, arratisjeve. Më dërguan në Drejtorinë Politike për gjetjen e kuadrove legale në divizione e brigada. Pas disa ditësh më ka takuar me Koçi Xoxen dhe ky më tha që të vazhdonim punën, sipas udhëzimeve dhe nuk u fut në hollësira. Nga Nesti m’u theksuan detyrat e vartësisë nga ai dhe Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, nga komandanti suprem e Drejtoria Politike, si dhe nga shefi i Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshëm) për çështje të caktuara. Ngritja e strukturës legale të Sigurimit ishte një detyrë që duhej të realizohej brenda disa muajve dhe me sa më kujtohet mua, u realizua. Nesti më theksoi që në mungesë të tij, duhet të mbaja lidhje me Vaskë Kolecin dhe kështu në fakt u veprua. Për sa i përket Koçi Xoxes, ai kur donte thërriste vetë. Nuk më kujtohet nëse Koçi Xoxe më ka thirrur mua për probleme të caktuara. Në procesin e punës kur kisha vështirësi shkoja tek Nesti për sqarime. Marrëdhëniet kanë qenë marrëdhënie pune normale gjatë gjithë kohës. Kështu kanë vazhduar këto gjatë gjithë kohës që ky ishte zëvendësdrejtor i mbrojtjes. Ndonjë problem konflikti me të, mua nuk më kujtohet që të ketë pasur. Edhe kur u ula në përgjegjësi, më duket se Nesti ma komunikoi një gjë të tillë për ato arsye që kam shpjeguar në procesin e mëparshëm të pyetjes sime. Kur kemi qenë në Greqi në fillim të vitit 1947, Nesti ishte kryetar i delegacionit për problemet e incidenteve në Komisionin e Ballkanit.


Pyetje: Gjatë kohës që qëndruat në Athinë e qytete të tjerë të Greqisë, a keni pasur takime me pjesëtarë të delegacionit jugosllav; në rast se po, të ç’natyre kanë qenë?


Përgjigje: Për këtë kohë, kam patur takime të zakonshme me pjesëtarë të delegacionit jugosllav me kryetar Josip Gjergja, porse unë jam takuar me anëtarët e delegacionit – emrat e të cilëve nuk më kujtohen, dhe jo më vetë Josip Gjergjën. Në shtator të vitit 1947, unë, Mihallaq Ziçishti, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji dhe Muço Saliu para se të niseshim për Moskë, jemi thirrur ose në Komitetin Qendror të Partisë, ose nga Nesti Kerenxhi. Na u komunikua detyra dhe na u dhanë udhëzimet përkatëse, për të cilat kam dhënë shpjegime më parë lidhur me studimet që do të kryenim atje në shkollën e Sigurimit.


Pyetje: A keni marrë pjesë ju, i pandehur, në ndonjë mbledhje që është bërë në shtëpinë e tradhtarit Koçi Xoxe, me gjithë shefat e sektorëve të Sigurimit, për problemin e arrestimeve?


Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jetë bërë ndonjë mbledhje e tillë. Unë mbaj mend që, në një rast, kemi qenë në shtëpinë e Koçi Xoxes gjithë shefat e sektorëve (viti nuk më kujtohet) dhe në këtë rast kemi raportuar për gjendjen e hetimeve që ishin në dorë. Më kujtohet që në atë rast Koçi Xoxe porositi që të ruheshin se mos i vrisnin Thoma Karamelon dhe Vaskë Kolecin. Për këtë arsye më kujtohet ky rast, por në këtë mbledhje nuk më kujtohet që të jenë dhënë orientime për arrestime masive.


Pyetje: A ka pasur shtrembërime në politikën e arrestimeve nga organet e Sigurimit të Ushtrisë para kthesës së Partisë? Ç’dini të na thoni për këtë ju, i pandehur?


Përgjigje: Ka pasur raste të arrestimeve të nxituara, të trajtimit të keq dhe të ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarve, të cilat mua nuk më kujtohen si episode. Unë vetë nuk kam pasur asnjë rast që të kem shkelur ligjshmërinë në drejtim të ushtrimit të dhunës fizike ndaj të arrestuarve. Ka pasur raste që vartës të mitë kanë përdorur metoda të tilla, siç ka qenë Stavri Xhara ose hetuesi që hetonte çështjen në Brigadën e Delvinës, emri i të cilit tani nuk më kujtohet.


Kam pasur raste që kam lejuar të bëhen arrestime të sforcuara e të pabazuara, por këto raste konkretë nuk më kujtohen, sepse ka kaluar një kohë e gjatë.


Pyetje: A jeni njohur ju, i pandehur, me materialet që janë gjetur në banesën e Llazar Papapostolit (Lari Postit) pas arrestimit të tij?


Përgjigje: Unë nuk jam njohur me këto materiale.


Mua më kujtohet që pas vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu kam parë një listë, në Komitetin Qendror, me emrat e personave për të cilët interesoheshin amerikanët. Ndërmjet tyre ishte edhe tradhtari Mehmet Shehu, por unë nuk di nëse kjo listë është gjetur në dokumentet e Lari Postit. Sidoqoftë, unë në kohën e arrestimit të këtij të fundit, nuk jam njohur me dokumente të tij.


Pyetje: A ju kujtohet arrestimi i disa ushtarakëve që kishin ardhur nga Italia, ku ishin përgatitur nga anglezët? Mbi ç’baza janë arrestuar ata?


Përgjigje: Mua më kujtohet arrestimi i tyre. Nga ata mbaj mend vetëm Spiro Dhimën, por mbi ç’baza janë arrestuar ata, unë nuk e kujtoj. Mundet që ata të jenë arrestuar edhe nga implikimet që na ka dërguar ministria nga procesi i Lari Postit, por për këtë duhen parë dokumentet.


Hollësira të atij procesi mua tani nuk më kujtohen se përse konkretisht u akuzuan ata, dhanë apo nuk dhanë shpjegime në hetuesi dhe u dënuan apo jo. Edhe për këtë mund të jap shpjegime, pasi të shihen dokumentet përkatëse, por tani mund të them, duke gjykuar me këto mend që kam sot, se jo të gjithë ata që u arrestuan (nga të “Villa Rossa-s”) ishin spiunë të amerikanëve.


Nga personat e “Villa Rossa” unë kujtoj Sinan Gjonin (Rrumbullaku), Hasan Reçin, Foto Veshin dhe Niko Kovaçin, që është vrarë gjatë luftës. Nga këta, di që janë arrestuar Sinan Gjoni dhe Hasan Reçi, por ata nuk ishin ushtarakë. Këto kam për të thënë në lidhje me sa pyetëm.


Pyetje: A është kërkuar ndonjë relacion për oficerët e vjetër dhe ndërmjet tyre të jetë konkluduar për Ishan Boriçin dhe Stavri Cylakun, si persona më të mundshëm për t’u çmobilizuar? A keni dërguar telegram me urdhër që të arrestohen në fillim të vitit 1947. Si u cilësuan ata dhe si përfundoi çështja e tyre?


Përgjigje: Nuk jam në gjendje të jap shpjegime; për këto probleme le të shihen dokumentet.


Pyetje: Si qëndron problemi i një çifteje që lidhet me procesin hetimor të Isan Boriçit dhe a i është dhënë kjo kryekëshilltarit jugosllav Peshiç?


Përgjigje: Nuk më kujtohet dhe nuk di gjë për një gjë të tillë.


Pyetje: A u janë dhënë jugosllavëve gjithë përpunimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe karakteristikat e kuadrit të degës së Sigurimit të Ushtrisë?


Përgjigje: Për përpunimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk di gjë, ndërsa për përpunimet e Sigurimit të Ushtrisë dhe karakteristikat e kuadrit të këtij sektori nuk u janë dhënë nga unë, as me firmë, as zyrtarisht. Nuk përjashtohet mundësia që gjatë asaj periudhe, jugosllavët të kenë marrë në këto drejtime që përmenden më lart.


Pyetje: A është dhënë porosi për survejimin e Mehmet Shehut me rastin e heqjes së tij, si element i papërshtatshëm?


Përgjigje: Siç e kam shpjeguar në proceset e mëparshme, ne kemi pasur porosi për të parë, ndjekur e dëgjuar komentet, parullat në drejtim të veprimtarisë e personit të Mehmet Shehut, por jo survejimin dhe ndjekjen e tij, sepse në atë kohë ai ishte i çmobilizuar.


Pyetje: Ç’dini rreth arrestimit të oficerit të vjetër të artilerisë Neshat Hasho, për qëndrimin e tij në hetuesi dhe si përfundoi?


Përgjigje: Di që Neshat Hasho është arrestuar, nuk e di për ç’arsye, nuk di për qëndrimin dhe trajtimin e tij në hetuesi, si dhe për faktin që është ekzekutuar ose jo. Kam mendimin që edhe në rast se është ekzekutuar, kjo nuk duhet të ketë ndodhur pa gjyq.


Pyetje: I pandehur, dëgjuat pjesë nga deponimet e të pandehurit Nesti Kerenxhi në të cilat thuhet se: me veprimet tuaja të përbashkëta me armiqtë Koçi Xoxe, Nesti Kerenxhi etj, kishit krijuar një aparat të sigurimit që ishte filial i OZN-as; se duke iu lënë fushë të lirë specialistëve jugosllavë të OZN-as ju keni shërbyer si agjent atyre?


Përgjigje: Nuk jam dakord me deponimin e tij; unë kam krijuar e drejtuar në ushtrinë shqiptare aparatin e Sigurimit shqiptar. Udhëzimet i kam marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, përfshi Koçi Xoxen, Vaskë Kolecin, si dhe udhëzime të Ministrisë së Punëve të Brendshme shqiptare dhe jo të jugosllavëve. Unë nuk kam ditur që këto kanë qenë udhëzime të OZN-as jugosllave, por që bazoheshin në eksperiencën jugosllave. Për kohën rreth dy muaj që ishin këshilltarët jugosllavë pranë Sigurimit të Ushtrisë, unë nuk u kam lënë dorë të lirë këtyre, siç deponon Nesti Kerenxhi, por kam bashkëpunuar për ato çështje me ta, siç kam deponuar në procesin e mëparshëm. Këtu është fjala për atë kohë që unë isha në drejtim të Sigurimit të Ushtrisë.


Pyetje: Ç’keni për të thënë rreth atribuimeve që dëgjuat nga armiku Mihallaq Ziçishti se ju e keni vënë në dijeni që mbanit lidhje agjenturore me këshilltarët ushtarakë jugosllavë, të cilët i informonit për çdo gjë; dhe se ishit vënë prej kohësh në shërbim të agjenturës jugosllave?


Përgjigje: Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve me këshilltarët jugosllavë, i kam thënë vetëm në drejtim të marrëdhënieve të mira, normale me ta dhe jo agjenturore, pikërisht për ato marrëdhënie që ka karakterizuar bashkëpunimin me ta, për atë kohë që ata kanë qenë pranë Sigurimit të Ushtrisë. Për sa i përket problemit të vënies në shërbim prej kohësh në favor të jugosllavëve siç thotë Mihallaq Ziçishti, kjo është një shpifje prej spiuni të regjur.


Pyetje: Si e shpjegoni faktin që për këtë problem, edhe armiku tjetër Llambi Peçini është shprehur, siç e dëgjuat, se: “Këshilltarët jugosllavë merrnin çdo gjë që kishte Sigurimi i Ushtrisë dhe se ju kishit porositur që t’u jepej gjithçka që kërkonin ata”?


Përgjigje: Llambi Peçini jep deponimin e tij, për të cilin mban vetë ai përgjegjësi; këshilltarët jugosllavë na kanë dhënë materiale vetëm të karakterit teorik, që nuk u pranuan nga ana jonë. Lidhur me ndërtimin e punës së Sigurimit, normat e marrëdhënieve me Drejtorinë Politike e Shtatmadhorinë, rregullat administrative të marrjes së kontingjentit, përpunimit, regjistrimit, evidencës operative, por jo të dhëna konkrete për probleme të agjenturës e përpunimit. Mundet që në mungesën time, pa ardhur unë nga Bashkimi Sovjetik, i pandehuri Nesti Kerenxhi mund t’ia ketë dhënë një porosi të tillë Llambi Peçinit si zëvendësi im, për t’u dhënë jugosllavëve gjithçka që kërkonin ata. Unë vetë nuk kam dhënë një porosi të tillë, për arsye të kohës se kur erdha unë, ishin shtruar problemet e mësipërme të bazës teorike. Nuk përjashtohet që vetë jugosllavët të kenë marrë të dhëna, porse rast të evidentuar unë nuk kam.


Pyetje: I dëgjuat, i pandehur, thëniet e armikes Fiqret Shehu, se jeni vënë në shërbim të jugosllavëve nëpërmjet Dushan Mugoshës qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe se keni bërë pjesë në grupin armiqësor të kryesuar nga tradhtari Mehmet Shehu. Ç’keni për të thënë?


Përgjigje: Këto nuk janë gjë tjetër, veçse shpifje monstruoze për të dy problemet.


Pyetje: Dëgjuat edhe atë pjesë të deponimeve të tradhtarit Feçor Shehu se veç lidhjeve shoqërore e miqësore me tradhtarin Mehmet Shehu, ju ka bashkuar edhe veprimtaria e përbashkët armiqësore që keni kryer kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe vendit tonë. Ç’keni për të thënë lidhur me këtë deponim?


Përgjigje: Edhe ky deponim i Feçor Shehut që unë dëgjova, është një shpifje dhe provokacion prej agjenti; unë s’kam pasur asnjë lidhje me Mehmet Shehun, veç lidhjeve të punës, zyrtare e partie, si dhe lidhje shoqërore normale siç e kam shpjeguar në proceset e mëparshme.


Pyetje: I pandehur Kadri Hazbiu, dëgjuat pjesë nga deponimi i Nesti Kerenxhit se Koçi Xoxe ju zgjodhi për në aparatin e Sigurimit të Shtetit si njeri që do të mbanit një qëndrim projugosllav. Na thoni cili ka qenë qëndrimi juaj lidhur me bashkëpunimin me jugosllavët në atë kohë?


Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem.


Pyetje: Dëgjuat për të njëjtin problem thëniet e të pandehurit Mihallaq Ziçishti se armiku Koçi Xoxe kishte simpati të madhe dhe ju mbante afër, se kishit shoqëri të ngushtë me armiqtë Nesti Kerenxhi e Mehmet Shehu etj dhe se flisnit me admirim për Titon e Jugosllavinë, siç ka ndodhur në rastin e piknikut të Ibës, me këshilltarët jugosllavë dhe në raste të tjera. Ç’keni për të thënë sa sipër?


Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Këto janë shpifje fund e krye. Ky është proces i montuar dhe i sajuar.


(Kadri Hazbiu: Refuzoj ta firmos për pasaktësi në përgjigjen e parë).


Pyetje: Dëgjuat pjesë nga deponimet e të pandehurës Fiqret Shehu për bisedën e zhvilluar me të nga Nako Spiru se tradhtari Koçi Xoxe kishte mbledhur mjaft kuadro të aftë për qëllimet e tij në favor të jugosllavëve si në Komitetin Qendror të Partisë, sektorin e tij edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se një kuadër i tillë ishte Kadri Hazbiu. Ç’keni për të thënë?


Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Procesi është i montuar. Këto janë deponime spiunësh dhe provokatorësh të kurdisur.


Pyetje: Siç del nga deponimet e të pandehurës Fiqret Shehu që i dëgjuat, Liri Gega ka qenë në dijeni të marrëdhënieve tuaja të afërta me Dushan Mugoshën e detyrat që u ka ngarkuar ai gjatë Luftës e pas Luftës Nacionalçlirimtare. Na jepni shpjegime për marrëdhëniet tuaja me Dushan Mugoshën e Liri Gegën.


Përgjigje: Njohja dhe marrëdhëniet që kam pasur me Dushan Mugoshën dhe Liri Gegën janë ato që kam shpjeguar në proceset e mëparshme. Deponimet e saj janë provokacion dhe shpifje e sajuar. Refuzoj të përgjigjem më tutje.


Pyetje: Ju, i pandehur, në proceset e mëparshme keni thënë se do të shpjegoni lidhur me një urdhër për të mos lëvizur tanket, të dhëna nga tradhtari Mehmet Shehu. Si është ky problem?


Përgjigje: Nga fundi i gushtit të vitit 1982, unë kam mësuar deponimin që kishte bërë Fiqret Shehu, të cilin e kam dëgjuar të incizuar në magnetofon, nga ministri i Punëve të Brendshme, sipas të cilit rezultonte që tradhtari Mehmet Shehu, pas Kongresit të 8-të të Partisë së Punës të Shqipërisë, me sa kujtoj, kishte urdhëruar Veli Llakën dhe Nazar Berberin që tanket të mos lëviznin pa urdhrin e tij. Unë, pasi dëgjova këtë, nuk bëra ndonjë veprim verifikimi, por prita sa të vinte udhëheqësi. Pas ardhjes së tij, unë i kam raportuar për këtë çështje, por nuk jam marrë më me të, sepse filloi të diskutohej edhe çështja ime. Unë them se kjo është një çështje me rëndësi të madhe që ka të bëjë me planin e Mehmet Shehut për të përdorur tanket ose për t’i bllokuar ata në një situatë të caktuar, kur do të vepronte ai. Unë për këtë çështje kaq di. Për të u diskutua edhe në plenumin e Komitetit Qendror, por si Veliu, ashtu edhe Nazari nuk dhanë shpjegime. Ky veprim është bërë pa dijeninë time, në shpinën time nga tradhtari Mehmet Shehu e Veli Llaka me Nazar Berberin, prandaj kjo çështje duhet të hetohet me hollësi.


Dua të saktësoj se në deponimin e të pandehurës Fiqret Shehu, unë nuk mbaj mend mirë nëse bëhej fjalë që urdhri është dhënë para apo pas Kongresit të 8-të të Partisë së Punës të Shqipërisë. Për saktësi të shihet deponimi i saj.