Jupp Heynckes paralajmëron Realin e Madridit përpara gjysmëfinales së parë mes Bayernit dhe Los Blancos në Champions League. Trajneri i bavarezëve në konferencën për shtyp theksoi se skuadra e tij po përjeton një formë të ngjashme me atë të 2013-ës dhe i ka të gjitha shanset për të fituar një tjetër triplete në këtë sezon.


Miliona njerëz në të gjithë botën do ta ndjekin këtë ndeshje me pasion, emocion, gëzim dhe ndoshta edhe hidhërim. Për mua në këtë duel nuk ka një skuadër favorite por kam një parandienjë pozitive. Në karrierën time jam përballur me trajnerë fantastikë si Johan Cruyff e Marcelo Lippi, por tashmë më pëlqen shumë mënyra sesi e bën të luajë Zinedine Zidane, Realin e Madridit.


Një mendim i Heynckes shkoi edhe për yllin e Realit, Cristiano Ronaldon ndërsa foli edhe për James Rodriguez i cili do sfidojë ish skuadrën e tij, ndërkohë që kartoni i kolumbianit është ende në pronësi të Los Blancos edhe pse Bayerni ka të drejtën e blerjes së tij.


Cristiano deri tani ka patur një karrierë të jashtëzakonshme por edhe ne kemi Robert Lewandowskin që në këtë sezon ka realizuar 38 gola, kështu që duhet të pyesni edhe te Reali sesi do ta frenojnë polakun. James Rodriguez është rritur shumë gjatë këtij viti dhe është kthyer në një lojtar kyç për këtë skuadër. Ai është një futbollist që krijon shumë dhe tashmë ndihet si në shtëpi këtu te Bayerni.


24 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)