Presidenti i hidhëruar amerikan, Barack Obama, ka kritikuar shefat për spiunazh të SHBA-së për shkak të dështimit, i cili gati sa nuk rezultoi me sulm të përgjakshëm të Al Qaidës kundër një aeroplani më 209 udhëtarë, pikërisht në ditën e Kërshëndellave.

Duke kritikuar publikisht komunitetin amerikan të inteligjencës, Obama komentoi sulmin e dështuar me bombë, pas takimit që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me shefat e agjencive të inteligjencës dhe bashkëpunëtorët e tij për siguri kombëtare.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se informatat nuk janë analizuar si duhet. Kjo është e papranueshme dhe unë nuk do të toleroj gjëra të tilla”, tha Obama.

Ai ishte edhe më i qartë gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi një zyrtar, duke kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të lëshimeve në sistemin e sigurisë së SHBA-së.

“Ka qenë ky një dështim, i cili ka mundur të jetë shkatërrimtar. I shpëtuam plumbit për pak. Katastrofa u parandalua nga individë të guximshëm, e jo për shkak se sistemi funksionojë”, citoi ky zyrtar të ketë thënë Obama gjatë takimit.

Obama gjithashtu theksoi se do të suspendojë transferimin e të burgosurve nga burgu Guantanamo në Jemen, por u zotua se do ta mbajë premtimin e tij për mbylljen e këtij burgu.

“Ne do të mbyllim burgun Guantanamo, i cili ka dëmtuar interesat tona në fushën e sigurisë kombëtare dhe është shndërruar në mjet të Al Qaidës për rekrutim”, tha presidenti amerikan.

Ai më tutje tha se agjencitë amerikane të inteligjencës kanë pasur njohuri se Al Qaida në Gadishullin e Arabisë synon të godasë jo vetëm shënjestrat amerikane në Jemen, por edhe vetë SHBA-në gjatë periudhës së festave.

“Qeveria amerikane ka pasur informata të mjaftueshme, për të zbuluar dhe pamundësuar sulmin në ditën e Kërshëndellave, por komuniteti ynë i inteligjencës dështoi. Nuk ishte ky një dështim në mbledhjen e informatave, ishte ky një dështim për të integruar dhe kuptuar informatat që kishim në dispozicion”, nënvizoi Obama.