Transferimi i Gonzalo Higuain nga Napoli te rivalët e urryer të Juventus do të mbahet mend si një nga më të bujshmit në historinë e futbollit.


Argjentinasi, i cili ka qenë golashënuesi më i mirë i Serisë A në sezonin e kaluar, ishte kthyer në një ikonë për qytetin e Napolit.


Megjithatë, vizitat mjekësore të zhvilluara në fshehtësi në Madrid dhe nënshkrimi i një kontratë 4-vjeçare me Juventus, kanë bërë që tifozët napolitanë ta konsiderojnë atë një tradhtar. Por ai nuk është futbollisti i parë që akuzohet për një gjë të tillë.


Këto janë katër transfertat që kanë shkaktuar më shumë polemika.


Mo Johnston: Nga Nantes te Rangers, 1989


Ku qëndron problemi më një transferim nga Nantes te Rangers? Askund, në të vërtetë, nëse më përpara nuk ke qenë një yll i Celtic, si Johnston. Skocezi është bërë lojtari i dytë, që nga Lufta e Dytë Botërore, që ka luajtur për Celtic dhe Rangers. Johnstone kishte qenë një tifoz i Keltëve gjithë jetën e tij dhe i ka ndihmuar ata të fitojnë titullin në 1986-ën. Megjithatë, Graeme Souness e bindi atë që të transferohej në Ibrox Stadium në 1989. Një lëvizje kjo që është shoqëruar me protesta dhe akte dhune nga të dy tifozeritë. Tifozët e Celtic e quajtën atë tradhtar, ndërsa ata të Rangers kanë djegur shallet që mbanin emrin e tij. Madje, edhe përgjegjësi i uniformave të Rangers ka refuzuar të përgatisë fanellën e Johnston.


Roberto Baggio: Nga Fiorentina tek Juventus, 1990


Juventus është mësuar të mërzisë tifozët e ekipeve rivale. Bishtaleci Hyjnor ka qenë një tifoz i Fiorentina-s që në fëmijëri dhe nuk kishte ndërmend të largohej nga skuadra e zemrës. Megjithatë, kur Juventus ka ofruar një shumë rekord, për atë kohë, prej 11 milionë eurosh, klubi toskan e ka pasur të vështirë ti rezistojë. Vendimi për shitjen e tij është shoqëruar me protesta në rrugët e Firences, me tifozët që kanë përdorur tulla dhe bomba molotov për të shprehur zemërimin e tyre. Presidenti i Fiorentina-s, Flavio Pontello, ka qenë i detyruar të mbyllej në zyrat e klubit.


Luis Figo: Nga Barcelona te Real Madrid, 2000


Florentio Perez u betua se do të merrte yllin e Barcelona-s në Bernabeu nëse do të fitonte zgjedhjet, dhe e mbajti premtimin, për një shifër rekord prej 51 milionë eurosh. Me rastin e kthimit në Camp Nou, Figo është tronditur nga fyerjet dhe sharjet që i kanë rezervuar 98,000 tifozët e pranishëm, deri në atë pikë sa ka qenë i detyruar të vendosë gishtat në veshë. Televizioni spanjoll, Channel Plus kishte vënë një matës zhurme që ka regjistruar një nivel rekord, ndërsa tifozët katalanas kanë qenë më të zhurmshëm se çdo klub nate në Barcelonë atë mbrëmje. Policia ka ruajtur autobusin e Real Madrid që është sulmuar nga tifozët e Barçës gjatë rrugës për në Camp Nou. Tifozët kanë mbajtur banera ku Figo akuzohej për tradhti dhe se ishte një mercenar. Ai, madje, ka refuzuar të ekzekutojë goditjet nga këndi për të mos qenë afër tifozëve. Dy vite më vonë, ai i ekzekutoi goditjet këndore, ndërsa tifozët kanë hedhur gjithfarë sendesh kundrejt tij. Më e famshmja mbetet koka e një derri, që është hedhur drejt tij nga tifozë shumë të zemëruar të Barcelona-s në 2002-in.


Sol Campbell: Nga Tottenham tek Arsenal, 2001


Tradhtia e tradhtive. Campbell ishte konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë në botë kur luante në White Hart Lane, por gjatë dhjetë viteve me Spurs, pavarësisht se udhëhoqi skuadrën drejt fitores së Kupës së Ligës në 1999-ën, skuadra nuk arriti të pozicionohej më lart se vendi i shtatë në kampionat. Kur kontrata e tij skadoi, ai është vënë në shënjestër nga çdo klub i madh i Europës. Arsene Wneger ka lëvizur në fshehtësi dhe ka siguruar shërbimet e mbrojtësit. Kur Arsenal ka lajmëruar se do të zhvillonte një konferencë për shtyp, shumë kanë menduar se do të zyrtarizohej blerja e Richard Wright, por gazetarët kanë mbetur pa fjalë kur kanë parë Campbell. Tifozët e Spurs nuk e kanë falur kurrë atë dhe nuk janë kursyer sa herë që lojtari është kthyer në White Hart Lane. Ndërsa disa tifozë kanë arritur deri atje sa kanë djegur edhe disa statuja të tij, historia i ka dhënë të drejtë Campbell, i cili ka fituar dy kampionate  dhe tre Kupa të Anglisë me Arsenal-in./ Telesport