19/04/2012  Mazhoranca miraton projektligjin për tokën bujqësore


Drafti: Titujt e pronësisë do të jepen nga komunat dhe bashkitë


Fermerët që kanë në zotërim tokë bujqësore, e cila është ndarë nga komisionet vendore, por që nuk kanë tapi, do të pajisen me tituj pronësie nga kryetarët e komunave ose të bashkive. Është ky ligji i miratuar një ditë më parë nga mazhoranca në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë theksuan se me anë të këtij projektligji zgjidhet një nga problematikat e hasura gjatë 20 vjetve të fundit me shfrytëzimin e legalizimin e tokave bujqësore në vend. “Nisma për këtë ligj ka ardhur në radhë të parë nga shqetësimet të vetë familjeve bujqësore, problemi i të cilave nuk është zgjidhur për 20 vjet. Së dyti, nga organet e pushtetit vendor, që kanë qenë në kërkesat e vazhdueshme të këtyre komuniteteve, që, megjithëse e përdorin tokën, nuk kanë dokumentet e pronësisë”, - tha Irfan Torelli, përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë. Sipas Ministrisë, me anë të këtij projektligji parashikohet dhe zgjidhja e problemeve të ngritura nga banorët në zonën e Orikumit dhe të Ksamilit, duke parashikuar kompensim me truall për ta për tokën që paraqet interes për turizëm. “Në rastin e Orikumit jemi në një rast tipik, ku përdoruesit e tokës bujqësore ndodhen brenda zonës me përparësi zhvillimin e turizmit. Ligjërisht problemi konsiderohet i zgjidhur”, - tha dje Torelli para deputetëve të Komisionit.


Drafti i qeverisë


Projektligji që u miratua dje vetëm nga deputetët e mazhorancës, pasi socialistët nuk morën pjesë në votim, përcakton se toka bujqësore në zotërim nga fermerët do të pajiset me tituj pronësie. “Këta tituj fermerët do t’i marrin nga kryekomunarët dhe kryetarët e këshillit të qarkut. Certifikatat e pronësisë që do të japin komunat e bashkitë, do të jenë të gatshme për t’u hedhur në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme. Procesi i pajisjes me tituj pronësie për fermerët do të përfundojë 9 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit”, - thuhet në relacionin bashkëngjitur projektligjit. Në relacion shpjegohet se këto të drejta vendorëve u jepen nga ndryshimet në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë”. Me anë të këtij projektligji qeveria synon të formatizojë pronësinë në komuna, në tokat e bujqësore, kryesisht në ato kodrinore e malore, ku për një arsye apo në tjetër 20 vjetët e fundit toka është ndarë, por tapitë nuk janë lëshuar. Sipas projektligjit, në disa raste kjo tokë është ndarë edhe me parimin e tokës së trashëguar nga familja. Projektligji synon që pronarëve t’u lëshohen titujt e pronësisë dhe për këtë proces përgjegjës janë kryetarët e këshillave e të komunave. “Ky proces dhe zbatimi rigoroz i procedurave të tij do të monitorohet nga komisionet vendore për verifikimin e titujve të pronësisë pranë prefekturave dhe nga drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë këshillit të qarkut dhe përfundimisht do të regjistrohen në ZRPP”, – thuhet në relacion. Shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore po kryhet prej tre vjetësh në vendin tonë. Komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë ngritur e po funksionojnë pranë prefektëve të secilit qark. Tashmë me ndryshimet në ligj ai do të bëhet nga kryetarët e komunave dhe këshillave të qarkut. “Dokumentacioni ligjor i pronësisë i përgatitur nga komuna ose bashkia do të jetë i gatshëm për regjistrim në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme”, – thuhet në draftin e qeverisë.


Cilët nuk përfitojnë


“Në kategorinë e përfituesve përjashtohen ish-themeluesit e fermave. Janë ajo kategori ish-pronarësh që kanë kontribuar me tokë në formimin e ndërmarrjes bujqësore. Pra, kemi mbrojtur një kategori të veçantë. Këto kritere forcojnë dhe më tepër kategorinë e ish-pronarëve (neni 2/1). Vëmendje e veçantë për tokat që janë në konflikte gjyqësore.”


Përfituesit


“Përfitimet për pronarët dhe për shoqërinë janë të mëdha, sepse të gjitha subjektet e këtij procesi do ta gëzojnë pronën bazuar mbi dokumente. Mund ta shesin, ta trashëgojnë dhe ta lënë si kolateral sipas normave ligjore. Është bërë kujdesi i nevojshëm që procedura e plotësimit të dokumentacionit të jetë transparente”, – tha specialisti i Ministrisë së Bujqësis.


Vijat e verdha


“Është bërë kujdesë, në mënyrë të veçantë në ligjin nr 8853, për të ruajtur kufizimet që ka ligji bazë, pra toka bujqësore nuk kalon në pronësi në territoret me përparësi turizmin dhe toka bujqësore që ndodhet brenda vijave të verdha. Po kështu dhe përmirësimi i ligjit nr. 9948 gjykojmë se do të formalizojë një sërë familjesh kooperativiste, kryesisht në zonën verilindore.”


Mbledhja e djeshme e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese


PS bojkoton votimin e projektligjit për tokat bujqësore


Opozita e kundërshtoi dje miratimin e projektligjit për tokën bujqësore, duke theksuar se qëllimi i këtij ligji është vetëm politik. “Projektligji nuk merret me problemin e pronësisë të atyre që kanë toka në zonat turistike. Vitet e fundit zonat bregdetare po u kthehen të ashtuquajturve ‘pronarë’. Them të ‘ashtuquajtur’ se rezultojnë raste abuzive. A keni marrë raste tipike në shqyrtim si Orikumi, që është kthyer në tokë bujqësore, pra nuk ka pasur pronarë, por na rezultojnë tashmë disa të tillë? Pra, i kthehet një pronari të rremë dhe nuk fitojnë ata që e kanë pasur në përdorim”, – u shpreh dje deputeti i PS-së në komision Eduard Shalësi. Edhe kolegu i tij i opozitës Blendi Klosi, duke vijuar në linjën e parafolësit, iu drejtua përfaqësuesit të Ministrisë Irfan Torelli, duke ngritur dyshime mbi draftin e qeverisë. “Ju do të bëni dy palë dokumentacione: një palë nga komisionet e ndarjes së tokës dhe një palë nga bashkia apo komuna? Problemet me tokën janë shqyrtuar 2000 tituj dhe janë konstatuar 40% me probleme”, – tha Klosi. Ndërsa në përgjigje të tij kryetari i Komisionit, Emin Gjana, iu përgjigj shqetësimit të deputetit socialist: “Për të mos lënë hapësira për të abuzuar veçanërisht për ligjin për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të tokave që janë disponibël shtetëror dhe jo të fondit të kompensimit dhe për të mos dhënë mundësi që me veprime të autoriteteve lokale të mund të cenohej thelbi i ligjit të ndarjes dhe kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore, bëhet fjalë për tokat e ish-NB-ce. Dhe e dyta për ta bërë të aplikueshëm në gjithë territorin e vendit. Dhe atje ku komisionet e ndarjes së tokës kanë lëshuar dokumentacion fillestar, por nuk është proceduar më tej për të shkuar tek titulli i pronësisë, por dhe në ato raste kur komisionet e tokës nuk kanë lëshuar dokumentacion për disa zona të thella malore. Çështja është se duhet mbyllur ky proces, që ka 20 vjet që nuk ka marrë zgjidhje. Konsolidimi i titujve të pronësisë është një nga problemet e mëdha që ka vendi edhe në kuadër të integrimit të BE.”


Kastriot Islami


Deputeti i komisionit parlamentar të jashtëm Kastriot Islami tha dje se “Së pari duhet të ketë një qëndrim zyrtar i MPJ-së, e cila duhet të sjellë më pas një kërkesë pranë komisionit të jashtëm, dhe më pas do ketë dhe një qëndrim zyrtar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.”