Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka ndërmarrë një projekt, i cili synon që brenda tre vitesh veprimet mbi pronën të bëhen në mënyrë dixhitale. Shqipëria ka të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme afër 4 milionë pasuri të paluajtshme. Të gjitha veprimet mbi këto pasuri, aktualisht bëhen në mënyrë manuale. Për të kaluar në një fazë tjetër operimi, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kuadër të projektit LAMP (Land Administration and Menagement Project), ka filluar hartimin dhe implementimin e një projekti për të vënë në funksion sistemin e kompjuterizuar. “Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e ka konsideruar këtë projekt si prioritar dhe ka angazhuar të gjitha resurset e veta për përfundimin me sukses të tij. Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka vendosur në dispozicion të grupeve të punës të gjitha resurset njerëzore, financiare e fizike për ta përfunduar me sukses projektin e kompjuterizimit të sistemit”, thuhet në një njoftim të ZRPP-së.