Ndonëse prej kohësh avioni “Malaysia Airlines” rezulton i humbur, shumë hipoteza hidhen për vendndodhjen e tij. Deri më tani kërkimet në Oqeanin indian për të rikuperuar kutinë e zezë të fluturimit të MH370 kanë rezultuar pa sukses, kanë shtuar dyshimet se po kërkohet në vend të gabuar dhe se avioni mund të mos jetë rrëzuar fare, por të jetë ulur diku.

Burime brenda grupit ndërkombëtar të kërkimit, të ngritur nga Australia, Malajzia, Kina dhe ku janë angazhuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera, deklarojnë se nëse nuk do të bihet në kontakt me një mbetje të avionit brenda pak ditësh, do të merret në konsideratë rishikimi i hetimeve.

Ulja diku duket një skenar i pamundur, por jo për t’u përjashtuar, thonë burimet. “Mundësia që të jetë ulur diku nuk është e pamundur pasi në gjithë këto ditë kërkime ne nuk kemi gjetur asnjë copë apo gjurmë të avionit në Oqeanin indian”, deklaroi burimi për mediat australiane.

Megjithatë, duket absurd skenari që një vend të fshehë një avion të tërë, kur 20 vende të tjera janë në kërkim të tij, por për grupin ndërkombëtar të kërkimit, është e vështirë të përcaktohet nëse avioni vërtet ka rënë në Oqeanin indian, pavarësisht se indikacionet më të mëdha të cojnë tek kjo mundësi.

Dëshmitë e fundit të peshkatarëve në veri të Malajzisë flasin për një avion që ka fluturuar në lartësi të ulët dhe me shpejtësi në drejtim të perëndimit, në xhungël, në të njëjtën kohë kur është raportuar zhdukja e Boeing 777.

Ndërkohë, teza e uljes përforcohet më shumë nga raportimet e mëherëshme në media që flisnin për një pengmarrje të mundshme të avionit, ndryshimit të destinacionit dhe detyrimit të uljes së tij në Afganistan ose Pakistan.

Avioni i kompanisë Malaysia Airlines me rreth 290 pasagjerë në bord, u zhduk gjashtë javë më parë pak pas ngritjes nga Kuala Lumpuri dhe si destinacion kishte Kinën. 

(e.m/BalkanWeb)