KOSTT`i ka përpiluar modelin e ri të tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Propozon që të hiqet monopoli, duke u mundësuar më shumë kompanive tjera të tregtojnë energji elektrike. Kjo planifikohet të ndodhë pas privatizimit të KEK`ut. Projekti është dërguar për miratim në ZRRE.


Nga Albulena Maloku më 18 shtator 2011 në ora 08:15

Pas privatizimit të Korporatës Energjetike, kosovarët do të kenë mundësi të furnizohen me rrymë edhe nga kompani të tjera. Kjo parashihet me modelin e tregut të energjisë elektrike, i hartuar nga operatori i tregut - KOSTT.



Më saktësisht, dizajni i modelit të hartuar nga KOSTT parasheh një treg bilateral, të mbështetur në një mekanizëm balancues.



Në këtë dizajnim janë specifikuar rolet dhe përgjegjësitë e gjithë pjesëmarrësve në tregun e energjisë në Kosovë.



Krejt kjo është bërë me qëllim që në vend të sigurohet tregtimi i energjisë elektrike me rregulla jo diskriminuese. Ky model, i cili është përfunduar gjatë muajit gusht, tash po e pret lejen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.



Zëdhënësja e KOSTT’it, Zana Rama, tregon për Express se hartimi i dizajnit të tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka përfunduar dhe në gusht të këtij viti është dorëzuar në ZRRE për aprovim.



Rama tregon se KOSTT, përmes këtij modeli, ka paraparë një treg bilateral në vend.

“Dizajni i tregut të energjisë elektrike parasheh që në Kosovë do të jetë një treg bilateral i mbështetur me një mekanizëm balancues”, thotë zëdhënësja Rama.



Në dizajnin e tregut, ajo thotë se janë specifikuar rolet dhe përgjegjësitë e pjesëmarrëseve të tregut, janë përcaktuar relacionet kontraktuale, relacionet financiare dhe rrjedhat e informatave ndërmjet pjesëmarrësve duke krijuar kështu një model të përshtatshëm dhe të dakorduar të tregut.

Qëllimi i dizajnimit të këtij tregu, sipas saj, është bërë për të siguruar tregtim të energjisë elektrike në Kosovë duke zbatuar rregulla jo diskriminuese në tregun e energjisë.



Pas aprovimit të dizajnit të tregut nga ZRrE, Rama thotë se KOSTT do të modifikojë rregullat e tregut bazuar në dizajnin e tregut të energjisë elektrike në mënyrë që të mundësojë zbatimin e tij.

Zëdhënësja e ZRRE’së, Adelina Murtezi, thotë se tashmë ky dokument është në proces të shqyrtimit dhe të analizimit nga ekspertët e brendshëm.



“Tashmë ky model që është një dokument shumë i rëndësishëm, është në proces të adaptimit të legjislacionit sekondar dhe marrjes së informatave shtesë dhe pastaj pritet të dalë në aprovim”, thotë Murtezi.

Njohësi i energjetikës, Et’hem Çeku, thotë se ideja ka qenë që të krijohen sa më shumë mundësi për blerjen e energjisë në periudha më afatgjate.



Sipas tij, është dashtë të krijohet mundësia që në tregun kosovar të hyjnë edhe kompani të tjera për të furnizuar me energji elektrike.



“Qytetarët prapë do të kenë një operator, por si furnizues të jashtëm do të kenë edhe kompani të tjera. Pra, do të paraqitet mundësia e furnizimit më lirë me energji elektrike”, tha ai. Qytetarët, sipas tij, do të kenë mundësinë që në rast të rënies që blloqeve nga sistemi, të kyçen drejtpërdrejt në ndonjë kompani tjetër.



“Kjo do të varet varësisht prej marrëveshjes që ZRRE i ka me kompanitë tjera që shesin energjinë elektrike”, tha Ceku.



Menaxherja për privatizimin e rrjetit në KEK, Fllanza Hoxha, tregon për Express se për këtë proces ZRRE’ja ka filluar edhe përpilimin e legjislacionit sekondar si pjesë e të cilës është edhe metodologjia e tarifave-rregullt për vënien e çmimeve.

“Ky dokument i rëndësishëm është në fazën përfundimtare të diskutimeve publike, por ende nuk është aprovuar përfundimisht”, thotë Hoxha.



Procesi i privatizimit të KEK’ut, sipas saj, është duke shkuar sipas agjendës së paraparë. Kompanitë e parakualifikuara, Elsewedy, Çalik, Limak dhe TAIB Bank thotë se janë duke i marrë këto dokumente dhe të dhënat për sektorin e distribucionit dhe furnizimit të KEK, nëpërmes Dhomës së të Dhënave.