Faturat paguhen, energjia pritet pas transmetimit të “Topallit”


Shkodër - Sinjali i televizionit “Vizion plus” në Shkodër është ndërprerë në mënyre arbitrare për disa orë, duke lënë në terr informativ dhjetëra e mijëra banorë të kësaj zone. Vendimi absurd është ndërmarrë edhe pse media “Vizion” ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj institucioneve shtetërore. Ndërprerja e sinjalit është bërë menjëherë pas publikimit në Vizion Plus të akuzave të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ndaj republikanëve dhe demokristianëve. Ndërkohë është verifikuar se shkëputja e sinjalit ka ardhur pas prerjes së kabllos kryesore, por autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë deri tani asnjë informacion mbi autorët e këtij akti. Sinjali është rikthyer vetëm në orën 18:00 të pasdites.

Më herët, për këtë ngjarje, i intervistuar nga Vizion Plusi, ka reaguar edhe kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka: “Nuk është hera e parë që Vizion Plusi sulmohet nga qeveria. Kësaj radhe duket një panik i madh i zonjës Topalli, e cila po përdor të gjitha fijet e pushtetit për të penguar partitë e tjera politike në pengesë edhe të fushatës mediatike”. I pyetur nëse kjo tregon se Vizion Plusi është mjaft i ndjekur në Shkodër, Ndoka tha se ky televizion është i vetmi zë i pavarur që mbërrin në qytetin e Shkodrës.







18 Qershor 2009