Skandali i Watergate njihet si skandali më i madh politik në histori, si pasojë e të cilit dha dorëheqjen presidenti i ShBA-së, Richard Nixon, më 9 gusht 1974. Kjo është hera e parë dhe e vetme që një President amerikan ka dhënë dorëheqjen në historinë e ShBA-së. Ngjarja e bujshme nisi me arrestimin e 5 burrave që kishin hyrë ilegalisht në një nga zyrat e hotel Watergate ne Washington, ku ndodheshin zyrat e Komitetit Kombëtar Demokrat. Pas hetimeve, FBI-ja zbuloi se pagesat që i ishin bërë grabitësve vinin nga një fond i dyshimtë, që ishte përdorur nga stafi i Nixon-it për të mundësuar rizgjedhjen e tij në postin e Presidentit.


Përmasat e Watergate kaluan çdo parashikim kur hetimet nxorën në pah implikimin e stafit të Presidentit dhe faktin se Nixon kishte një sistem regjistrimi në zyrat e tij për të përgjuar të gjitha bisedat. Zbardhja e këtyre përgjimeve zbuloi tentativën e Nixon-it për të mbuluar përmes pushtetit të tij grabitjen në hotelin Watergate, nga ku ka marrë dhe emrin skandali.


Fillimisht Nixon mohoi çdo dijeni apo përfshirje në skandalin politik që çoi në bankën e të akuzuarve dhjetëra zyrtarë të administratës Nixon, por një vendim i Gjykatës së Lartë e detyroi Nixon-in të dorëzonte kasetat me bisedat e regjistruara. Në fund Nixon u bind.


I gjendur përballë rrezikut për t’u akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, Richard Nixon u dorëhoq dhe vetëm pak minuta pasi Gerald Ford u betua si President shpalli aktin e faljes për Nixon-in.


Roli i medias në skandalin e Watergate është historik për guximin e dy gazetarëve: Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të gazetës Washington Post, të cilët ishin të vetmit që besuan se zyrtarë të Lartë të Shtëpisë së Bardhë kishin gisht në grabitjen e famshme. Gazetat e tjera nuk e morën seriozisht ngjarjen dhe nuk arritën ta besonin se historia e përgjimit arrinte deri në zyrën e Nixon-it.


Një pjesë e mirë e shtypit u pajtua me pretendimin e zyrës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë, se incidenti ishte një grabitje e rëndomtë. Ndonëse Washington Post mbuloi ngjarjen, gazeta nuk shihte ndonjë rrezik duke vënë këtë ngjarje në faqe të parë. Shumë gazetarë nuk e imagjinonin se në Washington mund të kishte një korrupsion politik të këtyre përmasave, ndaj për këtë arsye i dhanë shumë pak prioritet ngjarjes se Watergate. Disa të tjerë ranë në grackën se, nëse do t’i jepnin kaq shumë vëmendje historisë, do të përmbushin teorinë e Nixon-it se gazetat merreshin më shumë seç duhej me të.


Kështu pjesa dërrmuese e shtypit qëndroi pasive në pritje të provave më të forta, ndërsa ajo çka duket e çuditshme është se Washington Post ishte e vetmja që bëri një përpjekje serioze që t’i gjente provat dhe dëshmitë. Reporterët investiguan me muaj duke nxjerrë në dritë të vërtetën e trishtueshme të administratës së presidentit Nixon.




Ndërkaq Partia Republikane nuk ishte e shqetësuar për këto dyshime dhe e rikandidoi Nixon-in për President, e bindur se ai do t’i fitonte sërish zgjedhjet për shkak të popullaritetit dhe për faktin se garonte me një kundërshtar jo dhe aq të fortë, siç ishte George McGovern. Në një kohë që popullariteti i Nixon-it ishte ende i lartë, reporterët vazhduan investigimin, duke zbuluar lidhjet mes zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe “baltën” e fondeve ilegale.


Washington Post ka meritën si e vetmja gazetë që vazhdoi përpjekjet dhe mbajti gjallë ngjarjen. Gazeta nxori në pah fuqinë që mund të ketë shtypi, duke nxjerr në sipërfaqe edhe turpin që shumë nga gazetat heshtën mbi skandalin. Shumica e mediave e injoruan ngjarjen duke mos i dhënë prioritet misionit të informimit të publikut me çdo kusht dhe me çdo çmim.


Me zbardhjen e Watergate, media amerikane fitoi padyshim medaljen më të rëndësishme morale të saj, ndërsa Washingtoni humbi pafajësinë. Por, nga ana tjetër, Woodward dhe Bernstein u kthyen në model frymëzimi për brezat e ardhshëm të gazetarëve që kanë admiruar kurajën e kolegëve për t’u përballur me fuqinë dhe presionin e njeriut më të pushtetshëm të botës, siç ishte presidenti amerikan Nixon në atë kohë.