Jashtë derës vepra me autor Wolfgand Borchert dhe regji të Mantas Janciauskas do të vijë premierë më 17-18 nëntor në skenën e Teatrit Eksperimental. Në role kryesore interpretojnë Endri Cela, Mehmet Xhelili, Romir Zalla, Dasara Xhangolli, Adriana Tolka, Ilirda Bejleri, Mateo Dervishaj, Algiona Aga, Olgert Mataj, Klejdi Mataj, Julian Hudhra, Kleivert Ibrahimllari, Anxhela Shkreli, Paola Kadillari, Denardo Neziri. Në qendër të veprës është historia e një ushtari që kthehet në vendlindjen e tij, në Gjermani, pas mbarimit të Luftës së Dytë botërore. Ai kthehet dhe përpiqet që të vazhdojë jetën e të hyj në shoqëri.


Por eksperienca e tij në luftë është kaq e fortë saqë ai duke qenë një njeri mendërisht shumë i ndjeshëm e ka të pamundur të harrojë se çfarë ka ndodhur. Ai kthehet në shtëpi por gruaja e tij është me një burrë tjetër. Përpiqet që të krijojë një mardhëdhënie me një vajzë tjetër por e kaluara i shfaqet papritur. Ai përpiqet ti kthejë mbrapsht çdo gjë kolonelit, por merr përgjigje negative, ai përpiqet të shkoj në shtëpi, por… Këto fjalë: përpiqet, por janë baza në këtë shfaqje.


Është makthi i një të riu të cilit i janë mbyllur dyert. Regjisori e sheh këtë vepër mjaft aktuale me realitetin në Shqipëri. Shumë njerëz që ai ka takuar, kryesisht të rinj thonë se në Shqipëri është e vështirë të jetohet dhe të arrish diçka sepse sistemi është dyshues. Nëse nuk janë nevojat bazë si mjekësia, përkujdesi, puna apo edhe arti si mund të ekzistosh? Kjo është lidhja kryesore me këtë pjesë sepse në këtë shfaqje personazhet përballen me nevojat bazë të ekzistencës. Nëse ata nuk janë të plotësuar atëherë vjen pyetja: Çfarë vjen më pas?


12 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)