zeneliGjolekë Zeneli ka mbaruar shkollën e mesme ekonomike Nako Spiru në Tiranë e pastaj (1963-67) vijoi studimet në UT ku u diplomua për shkencat juridike e politike. Më pas (1971-73) kreu studimet pasuniversitare, duke marrë diplomën për Tregti të Jashtme pranë Fakultetit Ekonomik të UT. Gjatë karrierës së tij kreu disa detyra në pozicionin e ekonomistit, por për më shumë se 20 vjet punoi në ndërmarrjen e Tregtisë së Jashtme (TRANSSHQIP). Gjatë këtyre viteve kreu detyrën e ekonomistit, të menaxherit në departamentin e Charter-ingut, n/drejtor dhe për rreth 14 vjet punoi si Drejtor i Përgjithshëm. Pas viteve 90 Gjolekë Zeneli punoi si drejtor i kompanisë private Dilo (1993-94), përfaqësues i kompanisë gjermane Frich (1999-2000), e atashuar pranë grupit të oficerëve të NATO-s, e cila menaxhonte kampet e kosovarëve në Seman, Roskovec e Rushkull. Më shumë se 3 vjet punoi si emigrant në Greqi.


Ai rrëfen për gazetën Dita, një histori të pazakontë.


Unë pata fatin e keq të isha nga të parët që u godita keq, për të mos u ngritur nga berishianët, të cilët angazhuan bandat dhe spiunët që me shpifje, trillime dhe alibira, më burgosën tre herë dhe më e keqja, më persekutuan gjithë familjen. Kjo vetëm se kërkoja të ndalohej korrupsioni dhe transformimi i ekonomisë, nga sistemi totalitar në atë demokratik, të bëhej mbi baza ligjore. Të shpjegosh me hollësi me këtë bisedë, do të ishte e pamundur, mbasi ky korrupsion u shoqërua me krime deri në vrasje njerëzish. Sidoqoftë po përpiqem ta paraqes sintetikisht, aq sa të mundem, thotë ai.


Në vitin 1988, me vendim Qeverie, Parku i Eksportit me mbi 1000 punonjës, kaloi nga vartësia e Ministrisë, në vartësi të Transshqipit. Nga kontrolli financiar që i bëmë ne, në bashkëpunim me Kontrollin e Shtetit, gjetëm shkelje skandaloze. Ishin përvetësuar rreth një milion dollarë. Për këtë u gjetën fajtorët dhe u ndëshkuan. Disa u dhanë për ndjekje penale: drejtori, k/inxhinieri, shefi i llogarisë e të tjerë. ndodhi pas këtij vendimi? Ata jo vetëm që nuk u përgjigjën për shumën marramendëse të vjedhur, por u trimëruan të merren me mua, duke pritur rastin për të më hequr qafe. Unë u tregova shumë i kujdesshëm, nuk po u lija shteg për të më goditur.


 Në vitin 1992-93, në ndërmarrjet e Tregtisë së Jashtme, në prizmin e privatizimit të sistemit, u bë një kasaphanë e vërtetë. Pa ndonjë vendim, me urdhër, sikur ndërmarrjet të ishin pronë private, u përvetësuan kapitale të mëdha: Mallra që ishin gjendje në magazinë, fondet valutore, u bënë transferta monetare pa destinacion, të kamufluara si shitje-blerje etj. Mandej i çuan të gjitha ndërmarrjet në falimentim. Të gjithë ata drejtues, pa përjashtim, të cilët pranuan të bashkëpunojnë me politikën, konkretisht me Partinë Demokratike, sot, ose janë më të pasurit në Shqipëri, ose kanë emigruar jashtë shtetit, duke marrë kapitale me vehte. Për këta mund tu referohemi fakteve nëse do të jetë e nevojshme. I vetmi drejtor në tregtinë e jashtme që u burgosa disa herë dhe më persekutuan familjen, më kanë nxirë jetën, isha unë Gjolekë Zeneli, vijon Zeneli.


-Pse dhe si, çka ndodhur me ty Gjolekë?


-Së pari, këta që më persekutuan, më parë bënë të gjitha përpjekjet që të bëhesha bashkëpunëtor me ta, bashkëhajdut. Për këtë mundem të jap emra të personave të rëndësishëm që ishin dhe që janë në pushtet. Emrat e tyre i kam dhënë edhe në proceset gjyqësore. Nuk kam pranuar dhe kam kërkuar që transformimi i ekonomisë së paku për ndërmarrjet që drejtoja, të bëhej vetëm me baza ligjore. Nuk mund të silleshe me këtë pasuri si hajdut sepse ishte pasuri e popullit. Në atë kohë, berishjanët më trajtuan sikur unë i kundërvihesha Partisë Demokratike, gjë që nuk ishte e vërtetë.


-Më konkretisht?


-Po shpjegohem. Në fillim fare më kërkuan që të firmosja një çek për 200 mijë $ për llogari të Partisë Demokratike. Nuk pranova, nuk firmosa. Por të dërguarit e Saliut nuk u ndalën. Mbaj mend që kishim mbyllur një kontratë me një firmë italiane për blerjen e 300 copë autobuzëve urbanë të përdorur, me 4500 dollarë copa. Më kërkuan që kontratën ta bënim jo për aq sa kishim rënë dakort me firmën, por për 6500 dollarë, pra 2000 dollarë më tepër, që ishte baraz me 600 mijë dollarë të cilët, sipas tyre, u duheshin organeve kompetente (kuptohet kush ishin organet). Sigurisht që nuk pranova. Mu desh të zhvilloja korespondencë me Ministrinë, duke e refuzuar urdhrin e partisë për të çelur kredinë me urgjencë. Pas kësaj mafia që vepronte nga lart poshtë e nga poshtë lart, më shkarkuan, më lanë pa punë. Pas largimit tim kontrata u bë si deshën, duke përvetësuar 600 mijë dollarë.


-Shuma të mëdha, si është e mundur?


-Prit se nuk kam mbaruar. Me një kompani gjermane, shumë serioze, kishim bërë marrëveshje për transporte nëpër botë me DHL. Një aktivitet ky me shumë leverdi për shtetin. Më kërkuan që këtë tja kaloja privatisht Valter Bedinit (ish drejtor në ministri). Unë nuk guxova, nuk mund ta bëja. Me largimin tim e privatizuan me urdhër verbal, duke marrë dhe 200 mijë dollarët që ishte gjendje në këtë llogari.


Po me një kompani gjermane Chencer, kishim marrëveshje për transport ndërkombëtar me hekurudhë që, sipas marrëveshjes, pas përfundimit të transportit, me paraqitjen e dokumentave, na kthente 40% të tarifave. Në vitin 1992 kishim paraqitur dokumentet dhe prisnim të arkëtonim mbi 500 mijë dollarë. Pasi u shkatërrua edhe linja që lidheshim me hekurudhë me Evropën, kjo shumë është vjedhur. Nga kush?, do të pyesni ju. Këtë e di ish-ministri Bitincka dhe drejtori Andon Hila.


Ka edhe një fakt tjetër për një grabitje të tmerrshme. Me shoqërinë e Transporit Rrugor, IRU në Francë, kishim marrëveshje qeveritare për blerjen e Karnetave TIR me 15 dollarë copa. Pas kryerjes të transportit ne kthenim karnetat e përdorura dhe IRU-s na rikethente 8 dollarë për copë. Për vitin 1991, kishim mbyllur llogaritë dhe prisnim të arkëtonim rreth 100 mijë dollarë. Kjo shumë është arkëtuar, por nuk ka kaluar në llogarinë e ndërmarrjes, por është përvetësuar. Unë pyes: nga kush?


Tjetër. Me Ministrinë e Marinës italiane, kishim Marrëveshje Shtetërore për transport pasagjerësh dhe automjetesh me traget midis porteve të dy vendeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, pala shqiptare paguante tarifa simbolike, mbasi 80 % të tarifave mbuloheshin nga Qeveria italiane. Kjo marrëveshje është prishur me urdhër në mënyrë të njëanshme nga pala jonë, për përfitime korruptive. Nga kjo prishje, pasagjerët dhe pronarët shqiptarë, paguajnë tarifa 10-fishin më të larta.


-Ju pak më sipër thatë se janë përvetësuar edhe makineri e pasuri të tjera


-Patjetër. Nëse nuk bëhen publike edhe disa fakte të tjera, kjo çka po them do të mbetej gjysmake.


Vjedhjet më të mëdha janë bërë me mbylljen e Ndërmarrjeve të Transportit të Jashtëm: Transshqipit, Flotës Tregtare dhe Parkut të Eksportit.


Pasi u lirua nga detyra e ministrit, zoti Fatos Bitincka, filloi punë si nëpunës i thjeshtë në Transshqip.  Mandej ai zuri vendin e drejtorit dhe, për ironi të fatit të tij dhe tonin, organizoi falimentimin e Transshqipit. Kjo ndërmarrje ka qenë nga më fitimprurëset të shtetit dhe nuk kishte asnjë faktor negativ për ta çuar në faliment. Mandej ajo dispononte fonde të mëdha valutore në llogaritë e saj.


Këtë marifet e zbatuan për të falimentuar Parkun e Eksportit, duke përvetësuar gjithë asetet dhe gjendjet valutore. U shitën plot 250 makina me kapacitet 25 tonshe secila. Këto makina kanë qenë të tipit Benz, Skania dhe vetëm 30 copë Skoda çeke. Në këtë mënyrë u asgjësua edhe një ofiçinë moderne që ishte importuar nga Gjermania. E gjithë vlera e tyre qindramijë dollarëshe është vjedhur.


-Po me Flotën Tregtare, çndodhi?


-E njëjta gjë. Janë shitur 25 anije të kapaciteteve 16.500 tonshe, 12.500, 5000, 4500, 2700, 1800, 1000 dhe 500 toneshe. Vlera e këtyre shitjeve është shumë e madhe. Të gjitha janë vjedhur dhe thuhet se janë shitur edhe për skrap. Në fakt këto janë të verifikueshme, ku janë shitur dhe përse.


Kuptohet që vlera është shumë e madhe për një shtet si i joni. Në qoftë se këto viheshin në shërbim të popullit, ashtu si veprohet në një shtet demokratik, vendi dilte nga varfëria. Megjithatë, duhet thënë se dëmi më i madh i është bërë ekonomisë të vendit, duke shkatërruar një infrastrakturë të transportit të jashtëm shumë të sofistikuar e që ishte ndërtuar mbi principe të pastra të ekonomisë të tregut. Pra ky sektor ishte një avantazh, për të paraprirë në drejtim të Evropës. Me të drejtë, Komiteti Evropian, në analizën e ecurisë të tregtisë në Shqipëri që ka bërë në vitin 2007, ka vënë theksin tek mungesa e transportit të jashtëm, i cili e ka penguar shumë zhvillimin e tregtisë.


-Di që ti më pas ke kaluar disa peripeci të cilat janë finalizuar me burgime të njëpasnjëshme.


-Atë çka kam kaluar unë, nuk ia gëzoj as armikut. Dhe të gjitha i kam peshqesh nga Partia, nga mafia e Sali Berishës. Mbasi më hoqën nga Transshqipi, një kompani tregtare bullgare, EVROTUR, më qendër në Sofje, zhvillonte tregti këtu në Shqipëri, pa dokumenta. E drejtonte një farë Skënder Hanxhaku. Më propozuan që të punonim bashkë. Unë, mbasi nxora licensat përkatëse, formuam Firmën EVROTUR Albania. S.Hanxhaku, me që kishte tek firma aksionet e tij, u zgjodh president.  Mua më dhuruan bullgarët 25 % të aksioneve dhe më zgjodhën drejtor. Këtu punova vetëm 4 muaj.


-Çfarë ndodhi aty?


-Ky Hanxhaku solli tek firma e porsangritur katër persona, tre grekë dhe shqiptarin Dhimitër Gjovreku. Preteksti ishte për të bërë me ta një firmë të përbashkët për transportin. Me ta bëmë bisedime dhe ramë dakort që firmosja e kontratës do të bëhej në Athinë. Ditën që do të niseshim për në Athinë, S.Hanxhaku u sëmur. të bëja?! Shkova me Gjovrekun në zyrën përkatëse, por nuk zhvilluam asnjë bisedë për çfarë vajtëm. Kompania greke, na u prezantua ndryshe në Tiranë. Në të vërtetë ajo ishte ELVIEMEK, firmë që merrej me eksport-import armatimesh dhe eksplozivë. Unë dija se kur erdhën në Tiranë, drejtori i saj Haxhakis dhe dy tregtarët, kishin marrë takim me Ministrin e Mbrojtjes, Zhulalin, Kryeministrin Meksi dhe Presidentin Sali Berisha. Kujtoj gjithashtu se kur shkuam në Greqi, në Kapshticë, Dhimitër Gjovreku kaloi në të dyja doganat, shqiptare dhe greke, pa kontroll, tre makina ZIS, me targa shqiptare dhe me shofer grek, të ngarkuara me armatime. Në bagazhin e veturës ka pasur dhe një damizhane me 4-5 litra zhivë të kuqe që, sipas tij, dërgohej si mostër nga Ministria e Mbrojtjes. Unë di që zhivën ne e kemi sjellë nga Kina në sistemin e kaluar, ilegalisht, me anijet e linjës. Për këtë është folur në media dhe është thënë që një litër kushtonte 500 mijë dollarë.


-Si vajti fati i Presidentit të firmës, zotit Hanxhaku, sepse the që nuk ju shoqëroi, mbasi u sëmur?


-S. Hanxhaku nuk ishte i sëmurë, ai bë si i sëmurë dhe nga ana tjetër vepronte në linjën e tij për të vjelë dollarët, ashtu si i kishte marrë porositë nga padronët. Pasi u ktheva nga Greqia u pa në zyrën time ku më solli  dy fatura, njëra për 19 mijë dollarë për eksploziv dhe tjetra për 163 mijë dollarë për armatime. Sipas Hanxhakut, ishin të tijat, por kishin ardhur gabimisht me adresën e Evroturit dhe, pa firmën time, si drejtor që isha nuk i tërhiqte dot nga banka. Nuk pranova ti firmos dhe zhvillova korespondencë me Ministrinë e Mbrojtjes, për të parë nëse shitjet ishin të ligjshme. Këta jo vetëm që nuk më dhanë përgjigje, por pas 5 ditësh më arrestuan, me pretekst se gjoja kisha sjellë alkool metilik nga Greqia, nga i cili vdiqën 11 njerëz.


-Ka një histori jo të mirë kjo puna e alkolit metilik, mud të na i sjellësh ashtu si ka ngjarë?


-Siç do të vërtetoj më poshtë, sjellja e alkoolit metilik ishte një sajesë e SHIK-ut dhe e dy bashkëpuntorëve të tij, S.Hanxhakun dhe Dh.Gjovrekun, për të më burgosur mua, si dëshmitar i poshtërsive të tyre. Dhe unë përfundova në qeli. Por të vazhdojmë me korrupsionin. Kur dola nga burgu, i pafajshëm, nuk gjeja dot punë, sepse SHIK-u më mbante në ndjekje dhe më ekspozonte si kriminel. Tek firmat evropiane, pra në vendin tim,  u caktua Ilir Adili, ish punonjës e Transshqipit, i cili propagandonte në linjën e tij se gjoja unë luftoja sistemin demokratik. Për këtë çka po them, më njoftoi Drejtori i Kompanisë SCHULD në Hamburg, Z.Hans Jungen Kahl dhe të tjerë nga Austria dhe Italia. I ruaj ende numrat e telefonave të këtyre njerëzve të nderuar. Mandej më punësoi këshilltari tregtar hungarez në përfaqësinë tregtare në Tiranë. Mirpo mafia bënte punën e saj. Pas tre ditë punë, më ndaloi policia të hyja në këto zyra. U takova me këshilltarin jashtë zyrave, i cili më tha: Gjolekë, ti ke probleme me Qeverinë. Më njoftuan të mos të mbaj më në punë.


-E çbëre pastaj?


Këto peripeci vazhduan edhe me disa firma të tjera shqiptare, derisa një ditë të bukur mu ofrua pozicioni i drejtorit të firmës Dilo. Pronar i firmës ishte Andrea Dilo, kushëriri i kryeministrit. Aty u njoha me çudira të tjera. Një fakt sa për të marrë vesh shqiptarët se si janë grabitur paratë tona: Firma në fjalë, kish marrë një kredi në shumën prej 100 mijë euro tek DARDANIA BANK. Kish marrë gjithashtu një kredi tjetër tek Banka e Kursimeve në shumën 150 mijë dollarë. Dardania Bank besoj se nuk ka qenë kurrë e tillë. Ajo kishte një zyrë tek ish Shkolla e Partisë dhe vetëm kaq. Me aq sa kam kuptuar e gjithë loja është bërë me Bankën e Kursimeve për të grabitur kursimet e shqiptarëve. Drejtori i Bankës së Kursimeve, psh, punonte si financier i jashtëm i firmës Dilo! Si e gjykoni ju këtë fakt?

-Besoj se aventura jote vazhdoi edhe më tutje, z. Gjolekë.


-Po, po, nuk po më ndaheshin. Me porosi direkt të S. Berishës doli urdhëri i tretë i arrestit, por mora njotimin përpara se të më arrestonin dhe emigrova në Greqi. U ktheva nga Greqia mbasi kisha marrë pafajësinë në vitin 1997.


Fillova punë në Alimpeks. Atje gjeta një çelje kredie për 720 mijë dollarë në Milano, pa ndonjë objekt blerje, thjesht transfertë. Pra ishte vjedhje e pastër. E çova për ndjekje penale dhe, nga ana tjetër  dhashë dorëheqjen. Mu neverit puna kur pashë që atje kishin mbetur vetëm 5 veta të cilët nuk punonin, por shikonin si të zhvasnin ndonjë gjë. Më vonë, mora vesh, se çështja ishte pushuar.


-Po familja si e përballoi atë çka ka ndodhur me ty, bëhet fjalë për vite e vite me rradhë?


Para se të më burgosnin, por edhe më pas, është ushtruar një persekutim i ashpër personal dhe familjar, për tmë detyruar o të bëhesha me ta, ose të mbyllja gojën. Kështu në fillim më hodhën një pusullë, me këtë përmbajtje: Mos i fusni hundët se do ta pësoni, ke goca mos harro. I ruaj edhe sot këto pusulla. Mandej me thyen xhamat e shtëpisë për disa herë me gurë e mjete të tjera, duke më plagosur rëndë njërën nga vajzat.


Tentuan të më rrëmbenin vajzën në Gjimnazin Qemal Stafa. E kapa autorin dhe e dorëzova në rajonin e Policisë Nr.2. Ia dhashë policisë emrin, mbiemrin dhe adresën e saktë të banimit. Më premtuan se do ta ndiqnin problemin, por më pas mësova që e kishin lënë në qejf të vet. Kjo më trishtoi shumë.


Gjithçka që ka ngjarë me mua, në radhë të parë e ka paguar familja ime, dy vajzat dhe gruaja.  Bashkëshorten e pushuan nga puna ndërsa njëra nga vajzat, e diplomuar për mjeke me mesatare 9.6, humbi gjithçka mbasi pësoi depresion dhe vazhdon të jetë e sëmurë. I njëjti skenar u ndoq edhe me vajzën tjetër, të cilës i kishte dhënë të drejtë studimi me bursë të plotë Qeveria italiane. Kriminelët e Saliut i vajtën atje dhe i dhanë ultimatumin: Në qoftë se nuk dorëzohet Gjoleka do të të marrim peng.  U mbyll në konvikt për disa kohë, vajza e gjorë, dhe mandej pësoi gjendje të rëndë depresive. E shtruan në spital psikiatrik për më shumë se 3 muaj dhe, pastaj e mora në Greqi, ku isha arratisur familjarisht. Vajza jo vetëm që humbi shkollën, por edhe shëndetin, vazhdon të jetë e sëmurë.


-Ju jeni arrestuar tre herë dhe të tre herët kini dalë nga burgu. A u dënuat ndonjëherë nga gjykata?


-Asnjëherë. Më fal, desha të them që nuk u zbatuan vendimet. Në gjykimin e parë mua më dënuan me vdekje, me pushkatim, në bazë të nenit 73/a. Por ndërsa prisja të haja koqen e plumbit, ra një rrufe të cilën nuk e shpjegova dot, e solli zoti apo isha njeri në të drejtën time. Erdhi drejtori i burgut me një person tjetër, të veshur civil, i cili më komunikoi lirimin. Kërkova vendimin, më thanë se do ta marrësh pas disa ditësh në Rajonin. Nr.3 të Policisë. Nuk e mora asnjëherë. Megjithëse mora pafajësitë, nuk është bërë asgjë për zhdëmtimet, për burgimet e padrejta. Domethënës është edhe fakti që dosja hetimore dhe gjyqësore me më shumë se 350 faqe, është zhdukur nga arshivat e gjykatës Tiranë. Kam kërkuar që problem im të gjykohet nga gjykata e Strasbugut, por ma kanë refuzuar sepse edhe aty mafia shqiptare ka hedhur rrënjë. Madje gazeta angleze The Sun, e datës 8 gusht 2009, bën të ditur se Ledi Bjanku, përfaqësuesi ynë në Gjykatën e Sbrasburgut është një mafioz.


Megjithë persekucionin, nuk jam pishman që nuk u jam përgjigjur ofertave të tyre, që të bëhesha pjesë me ta dhe të jetoja në luks. Për këtë jam krenar, por nëse do ta dija që nuk do të gjeja mbështetje asgjëkundi, sigurisht që edhe unë, sikurse gjithë ata që formuan Partinë Demokratike do ta kisha gjetur një mundësi për tu larguar nga Shqipëria, por shpresa më ka mbajtur se një ditë do ti vijë radha të drejtës.