Robert Qafzezi




Historikisht, gabimet në lidhje me vizionin e të parit të historisë sonë kanë qenë katastrofike, së pari nga mediokriteti dhe politizimi i historianëve vendas dhe së dyti edhe nga një lloj keqdashjeje prej historianëve të huaj. Gjithashtu, kjo ka ardhur edhe nga optika e të parit të historisë si një gjykim dhe jo për ta njohur e më pas kuptuar, atë dhe personazhet e saj në kompleksitetin e tyre. Fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite vazhdon optika e gjykimit, duke i bërë pritë rrjedhshmërisë dhe qartësisë së analizave historike apolitike. 




Dje mësohej në shkolla historia e Shqipërisë sipas optikës së gjyqit të së kaluarës nën vizionin e politizuar të PPSH-së, ku periudha e mbretit Zog mund të kuptohej vetëm prej fjalisë: “Mbreti, armik i popullit”. Pra është e qartë se kemi patur të bëjmë që në krye të herës me optikën e gjyqit, e cila e pengon në mënyrë artificiale historinë, duke e politizuar deri në palcë atë, në shërbim të moskuptimit apo të dezinformimit. 




Po e njëjta optikë gjyqi vazhdoi edhe me rrëzimin e Enver Hoxhës nga po të njëjtit historianë, që i kishin shërbyer me vetëmohim të njëjtës optikë. 




Pra historia e Shqipërisë nuk ka dalë dot nga çorba mediokre, sepse sistemi i të parit të saj nuk ka ndryshuar aspak. Ai është po i njëjti sistem me disa ndryshime të vogla, ku shfaqen dy aspekte politike të të parit të saj, që nuk janë gjë tjetër vetëm mbajtje pozicionesh politike. Këto pozicioni, gjithsesi, nuk i shërbejnë të vërtetave historike, por vetëm realitetit politik aktual. Shembujt e kësaj optike gjyqi janë me shumicë në Shqipëri, madje sot po vihet re një influencë nga më regresistet që ka patur ndonjëherë historia e Shqipërisë. Ka shembuj plot se si po përbaltet figura e Skënderbeut, Nënë Tereza, apo edhe injorimi total i Luftës Nacional-Çlirimtare me të gjitha kompleksitetet e evenimenteve të kohës. Më katastrofik është realiteti i drejtuesve të vizonit të historisë për librat shkollorë. Ata drejtues janë të krimbur prej politikës. Një historian i vërtetë nuk mund t’i takojë asnjë vendi dhe asnjë vizioni politik dhe aq më tepër optikës së gjyqit historik. Historia nuk analizohet me analistë, as me komisione, as me rrogëtarë apo as edhe me historianë që bazën e hulumtimit e kanë te ryshfeti politik. Historia në Shqipëria është kuptuar gjithmonë si një formë-mbajtëse pushtetesh dhe është qëndisur nga kalemxhinj, pjella pushtetesh dhe interesash. Në situatën e sotme, duhet që të vendosen të veprim dhe në mënyrë absolute mosprivilegjimi i asnjërit prej poleve politike në lidhje me historinë. Asnjë politikan sot nuk e merr guximin të flasë haptas për emergjencën e të parit të historisë sonë, e cila mbetet nën flagrancën e falsifikimit të abuzimeve të pushteteve në vijim. Akoma sot, vizioni i të parit të historisë shihen si një terren i minuar për politikën. Të vërtetat historike nuk i përkasin, as fituesve dhe as të humburve, por ato ekzistojnë pa marrë aprovimin e tyre.