Historiani vlonjat, Sokrat Krutaj, ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ardhur natyrshëm. Ai ka sqaruar se ky akt është një rrjedhojë e natyrshme e ngjarjeve, përmes të cilave ka kaluar kombi shqiptar, duke nisur nga lashtësia deri në ditët tona. Në këtë arsyetim, Krutaj sqaron se identiteti ilir, marrëdhëniet iliro-sllave, vazhdimësia iliro-shqiptare, kultura e Komanit, të dhënat arkeologjike, gjuhësore, etnografike, ngjarje të rëndësishme si beteja e Fushë Kosovës kundër osmanëve, shovinizmi serb i gjysmës së dytë të shekullit XIX, përbëjnë disa nga argumentet për të arritur në përfundimin e natyrshëm, të domosdoshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Ai sqaron se në funksion të këtij akti janë edhe ngjarjet e mëvonshme, si Kongresi i Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por edhe pushtimet dhe krimet serbe në Kosovë, mbretëria serbo-kroato-sllovene, e krijuar artificialisht. Për të, gjithçka ka ndodhur në histori, duke përfshirë edhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe rrjedhojat e saj, më pas vitet 1944 e evidentojnë si një domosdoshmëri shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "Politika e ndjekur nga regjimi i Milosheviçit, veçanërisht pas viteve 1990, dhuna e ushtruar në Kosovë, ngjarjet e pranverës së vitit 1999, krijuan kuadrin e nevojshëm, që faktori ndërkombëtar të bëhej i ndërgjegjshëm për atë që duhej të vendoste për Kosovën", ka pohuar Krutaj.