Kosova prek historinë me një tjetër goleadë. Me një Arbër Zeneli në superformë dardanët mposhtën 4-0 Azerbajxhanin në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë dhe tashmë janë zyrtarisht në play-offin e Ligës së Kombeve që do të zhvillohet në marsin e vitit 2020.


Kosova do ta masë forcat tashmë me tre ekipet e tjera që fituan grupet respektive në Ligën D, Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë për një biletë në Euro 2020 gjithmonë nëse asnjëra prej këtyre përfaqësueseve nuk kualifikohet në europianin e ardhshëm nëpërmjet eliminatoreve.


Në Fadil Vokrri në një stadium të tejmbushur ishin përgatitur për festën dhe të gjithë kosovarët festuan pas vetëm 1 minute lojë, pasi Arbër Zeneli shënoi shumë shpejtë duke i dhënë epërsinë Kosovës. Në fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Arbër Zeneli që shënoi edhe golin e sigurisë për Kosovën. Nuk vonoi shumë dhe rrugën e rrjetës e gjeti edhe Amir Rrahmani ndërsa Arbër Zeneli mori topin në shtëpi me golin e tretë personal në minutën e 76-të.


Një kualifikim historik ky për skuadrën e Bernard Chalandes që mbylli grupin 3 të Ligës D në kuotën e 14 pikëve me 4 fitore 2 barazime por edhe me një golevarazh fantastik prej 15 golave të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit i gjithë stadiumi Fadil Vokrri shpërtheu në festë për një fitore të madhe të Kosovës.



20 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)