Ndihmëstrajneri i kolonjarëve, Sokol Hitaj, ka besim të madh për marrjen e 3 pikëve në takimin e nesërm
Kolonjarët kanë bërë dje testin për ndeshjen e së shtunës me Mamurrasin, ku nuk u falet të gabojnë. Djemtë e trajnerit Qirjako e kanë të qartë se duhet ta fitojnë këtë ndeshje, që ekipi të mbetet në katet e sipërme të tabelës dhe për të synuar më pas 5-shen e parë. Futbollistët e Gramozit duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos gabojnë në shtëpi, se pse një hap i gabuar do ti nxirrte jashtë luftimit. Vijmë nga një transfertë e vështirë, ku duhej të dilnim me pikë për atë që dhamë në fushë.
Kukësi është arkivuar tashmë dhe e rëndësishme është të kthehemi te fitorja me Mamurrasin. Psikologjikisht jemi mirë dhe kam bindjen se futbollistët do të bëjnë atë që duhet në 90-minutëshin e radhës. Ndeshja me Mamurrasin kërkon vëmendjen e duhur, pasi nuk na lejohet një gabim i dytë në shtëpi. Kundërshtari është mbi ne në renditje dhe ky është rasti më i mirë për ta parakaluar.
Për këtë jemi të angazhuar të gjithë dhe besoj se do tia arrijmë qëllimit. Ajo që na gëzon më shumë për këtë javë është se ekipi do të jetë më i plotë, sidomos në repartin e mbrojtjes, pasi është kthyer pas një dëmtimi trijavor veterani Peçi, i cili, me përvojën e tij, do të dijë ta udhëheqë Gramozin drejt fitores. Do të hedhim në fushë formacionin më të mirë, duke menduar më shumë për sulmin, që në fakt ka zhgënjyer deri tani, ka thënë mes të tjerash numri 2 i stolit kolonjar, Hitaj.