BRAZIL-Holanda vuan shumë në ndeshjen e dytë në grupin B, por në fund i gëzohet 3 pikëve ndaj Australisë. U mendua një fitore e lehtë për tulipanët, aq më tepër kur Roben shënoi golin e parë të ndeshjes, një tjetër realizim për kornizë i futbollistit të Bajernit të Mynihut, i cili ka vrapuar që nga mesfusha dhe ka shtangur portierin kundërshtar, ashtu siç bëri në ndeshjen kundër Spanjës. 

Por pa kaluar ende një minuta lojë, Kahill për Australinë barazon në 1-1, një gol spektakolar për nga mënyra e ekzekutimit, ndoshta më i bukuri i këtij eventi deri tani. Australianët marrin zemër dhe diktojnë lojën. Dhe goli i dytë vjen në fillimin e pjesës së dytë me anë të një 11-metërshi. Holanda gjendet në vështirësi. 

Por Van Persi çliron shpejt tifozët, kur pas 4 minutash nuk falë brenda zonës kundërshtare. 2-2 dhe tashmë luhet hapur. Holanda fillon e kthjellohet në lojën e saj dhe për pasojë vjen edhe goli i tretë, me autor Depay, që realizon me një gjuajtje nga jashtë zone. 6 pikë për portokallinjtë, që e shohin veten në 16-e, ndërsa Australia duket se është skuadra e parë që largohet nga Botërori.

(a.n/BalkanWeb)