Ishte pionier i letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri





Këto ditë mbylli sytë në Athinë shkrimtari Spiro Xhai, një emër ky i njohur e i nderuar në opinionin tonë letrar e më gjerë. Ai ka meritën të jetë një nga pionierët dhe themeluesit e letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri, dekan i saj për dekada të tëra.





Partizan i orëve të para, një nga udhëheqësit kryesorë të rezistencës antifashiste të minoritetit, zëvendëskomisar i Brigadës së XIX sulmuese. Organizator energjik që pas çlirimit kreu detyra me përgjegjësi, nga të cilat spikat drejtimi për vite me radhë i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri".





Shkrimtar i talentuar, intelektual me interesa të gjera dhe njeri i veprimit, punëtor i palodhur dhe modest, ai la gjurmë të pashlyera në jetën e tij. Spiro Xhai mbetet një nga emrat simbol të miqësisë vëllazërore të minoritetit grek me popullin shqiptar. Ata që e njohën nga afër nuk mund të harrojnë faktin që për të ishte i huaj çdo lloj nacionalizmi.





Në mozaikun e letërsisë së minoritetit grek, spikat si një shkrimtar me diapazon të gjerë. Romancier, tregimtar, dramaturg, biograf, përkthyes e publicist, ai është autor i një vargu veprash me kontribute në letërsinë e pasluftës. Spiro Xhai ishte nga shkrimtarët bilinguë, që shkroi në gjuhën amtare dhe po vetë i përktheu në gjuhën shqipe.





Krijimtaria e tij në radhë të parë qe pasqyrë e jetës së minoritetit, por edhe një gjeografi më e gjerë, ku shpalosej përgjithësisht realiteti shqiptar. Në këtë pikëpamje, veçanërisht me tematikën e veprave të tij, ishte një zë origjinal. Në një kohë kur letërsia e minoritetit zhvillohej kryesisht në fushën e poezisë, ai lëvronte prozën, duke i sjellë frymëmarrje krijimtarisë letrare të kësaj etnie.





Emri i Spiro Xhait u shfaq në letërsi qysh në vitet pesëdhjetë, me një nga veprat më të suksesshme të kohës, siç qe novela "Pesë letra" (1956), e cila pati jehonë dhe u përkthye dhe në gjuhë të huaja. Në të trajtohej tema e kurbetit, një nga plagët e minoritetit, që në pendën e autorit gjente një shprehje realiste, me nota të dhimbshme dramatike, shkruar me vërtetësi psikologjike dhe mjeshtërisht.





Më tej, prej tij lexuesi mori novelën "Dashuri cigane", një vepër kjo përsëri me një temë origjinale, krejtësisht e paprekur nga letërsia jonë. Ishte jeta e komunitetit rom, një mjedis fare i panjohur, ku gjallonin karaktere të spikatura dhe jepej me ngjyra piktoreske atmosfera e jetës së tyre.





Krijimtaria e Xhait fitoi përmasa të gjera dhe vlera të reja në dy romanet që ai shkroi, siç janë "Spitali partizan" (1967) dhe "Kronikë dropullite" (1989). Janë këto vepra ku hidhet dritë në dy epoka të ndryshme, të asaj të Luftës Nacional Çlirimtare dhe të jetës së minoritetit në vitet e socializmit.





Romanet janë të mbushur plot jetë, me njerëz dhe situata realiste, me konflikte të gjalla, me tipa e portrete interesante, përmes një rrëfimi tërheqës. Mbresa të veçanta të lë jeta e minoritetit, njerëzit e mençur e punëtorë të kësaj etnie, bota e tyre e pasur shpirtërore, disa nga tiparet e komunitetit që përfaqësojnë, bashkëjetesa e admirueshme.





Spiro Xhai biograf shkroi dhe dy monografi me vlera studimore dhe edukative, siç janë "Thanas Ziko" dhe "Lefter Talo", figura të dashura e të nderuara, që kanë hyrë në historinë e minoritetit grek në Shqipëri.





Me vlera njohëse paraqitet dhe publicistika e pasur që ai shkroi nëpër vite, sidomos si bashkëpunëtor i gazetës së minoritetit grek "Llaiko Vima". Ai është ndër përkthyesit e shquar të letërsisë greke në Shqipëri, që nga proza e antikitetit e deri tek "Apologjia e Sokratit" e K. Varnalisit.





Ai la pas emrin e një shkrimtari të nderuar dhe shëmbëlltyrën e një njeriu të dashur, të mençur e të urtë. Një karakter i admirueshëm për konsekuencën dhe koherencën e jetës së tij, luftëtar i paepur për drejtësi e për të vërtetën, krijues që e kish në shpirt artin dhe punën, njeri i progresit që dinte të shikonte para dhe prapa, duke gjykuar për botën dhe njerëzit objektivisht, dialektikisht dhe ndershmërisht.





Edhe pse i kthyer te rrënjët, në vendin e origjinës, ku kaloi vitet e fundit të jetës, ai do t'i mbante të gjalla lidhjet shpirtërore me Shqipërinë, me fatin e saj, me miqt' e shokët që kish lënë këtu, pa të cilët nuk e merrte me mend ekzistencën e tij si njeri dhe artist.