Nga Express më 03 gusht 2011 në ora 11:20

New York The Red Bulls ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë me një tjetër futbollist nga akademia e klubit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Shaqir Hoti (Sacir Hot), i cili është pjesë e ekipit U-20 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



Nënshkrimi i kontratës erdhi pasi Hoti i kaloi dy javë prova në janar me ekipet gjermane Borussia Monchengladbach e Borussia Dortmund.



Hoti shpjegon se koha e tij në Gjermani shkoi mjaft mirë dhe se të dyja klubet ishin të impresionuara me lojën e tij me ekipin e rezervistëve. Por, ai dëshironte të jetë i gatshëm për Botërorin U-20 të kësaj vere dhe se liga MLS do t’ia jepte atij mundësinë më të mirë për t’u zhvilluar dhe për të fituar përvojë.



Qendërmbrojtësit i ishte ofruar mundësia të kthehej në të dyja klubet gjermane gjatë kësaj vere për të qëndruar më gjatë, por ai dëshiroi të luajë në futbollin profesionist këtë pranverë.



“Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e Red Bulls, qoftë tash apo në fund të karrierës sime. I dua Red Bulls. Mezi pres ta nis eksperiencën me këtë klub. Dëshiroj të eci nëpër këtë stadium dhe të jem këtu, qoftë si rezervist apo edhe si startues”, thotë futbollisti me prejardhje shqiptare.



Trajneri Hans Backe e ka quajtur Hotin si djaloshin e së ardhmes, pasi ka biseduar me selektorin e U-20 të SHBA-ve, Thomas Rongen. “Ai e vlerësoi shumë Hotin për ekipin U-20. Ai është lojtar solid”, tha Backe.