Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një vizitë në Republikën e Sllovakisë.

Gjatë qëndrimit në Bratislavë, mbrëmë, ministri Hoxhaj ka pasur një darkë pune me Miroslav Lajčák, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë.

Hoxhaj e ka informuar homologun sllovak për progresin që ka bërë Kosova gjatë muajve të fundit, për procesin e normalizimit të relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe ka kërkuar mbështetjen e Sllovakisë për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës

Në këtë kontekst, Hoxhaj kërkoi përkrahjen e Bratislavës për nisjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në anën tjetër, Miroslav Lajčák, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, ka vlerësuar progresin në Kosovë.

“Sllovakia është mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Kosovës dhe përgëzon Kosovën për progresin që ka arritur në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Lajčák

Gjatë ditës, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar edhe me deputetë të Parlamentit të Sllovakisë, me deputetë të komisionit për politikë të jashtme dhe integrimeve evropiane, ku ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit jo vetëm ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve, por edhe lidhjet ndërmjet dy shoqërive.

“Kosova është në kuptimin e gjeografisë, kulturës dhe ka qenë çdo herë një vend evropian dhe të vetmin qëllim që ne e kemi është anëtarësimi i Kosovës në BE si vend i pavarur dhe sovran”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka mbajtur një ligjëratë në Komisionin Atlantik Sllovak, para një auditoriumi të madh të personaliteteve nga politika, të opinionbërësve, shoqërisë civile, profesorëve të universiteteve dhe shumë ambasadorëve të akredituar në Sllovaki me temën “Kosova si model i suksesshëm i shtetndërtimit”.

Gjatë ligjëratës, ministri Hoxhaj ka prezantuar procesin e ndërtimit të një Kosove të pavarur, multietnike dhe demokratike, për integrimin e saj në sistemin ndërkombëtar dhe për procesin e pandalshëm të njohjeve të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Vizita e parë e ministrit Enver Hoxhaj në Bratislavë, ka zgjuar interesim të madh dhe ka qenë temë kryesore e medieve sllovake.