Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Japoni, është pritur në një takim miqësor nga Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Koichiro Gemba.

Ministri Hoxhaj, ka falënderuar homologun japonez për mbështetjen e gjithanshme që Japonia ka dhënë dhe po vazhdon të jap për Kosovën.

Ministri Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit shumë të frytshëm me Ministrin Gemba, biseda është fokusuar në dy çështje kryesore.

“Kemi biseduar për përparimin e madh që është bërë gjatë këtij viti për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, unë kam kërkuar nga Ministri Gemba që Japonia të shtrijë ndikimin e saj të disa ishuj, në mënyrë që edhe ato ta njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. Unë po ashtu kam marr mbështetje nga Japonia për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Hoxhaj, duke falënderuar Ministrin Koichiro Gemba për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ministri Hoxhaj, tha se çështja e dytë për të cilën është biseduar gjatë takimit, ka qenë thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Japonia ka mbështetur Kosovën në periudhat me kruciale. Kemi biseduar se si mund ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik duke pas parasysh se Japonia është fuqia e tretë ekonomike në botë. Ne shumë shpejt do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP), e cila do të ndihmojë në lehtësimin e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve. Po ashtu, u morëm vësh që në vitin tjetër të organizohet një forum ekonomik në nivel të kryeministrave, ku do të paraqiten projekte konkrete të investimeve japoneze në Kosovë”, tha Ministri Hoxhaj, duke shtuar se mes dy vendeve do të thellohet bashkëpunimi edhe në fushën e Arsimit, Shëndetësisë dhe Ambientit.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Koichiro Gemba, ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë të ndihmojë Republikën e Kosovës sa i përket anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.

Gemba po ashtu ka shprehur përkrahje të plotë për idenë e Ministrit Hoxhaj për të organizuar një forum ekonomik mes dy shteteve si dhe ka shprehur interesimin e autoriteteve japoneze që të ndihmojnë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve në shumë fusha, përfshirë edhe avancimin në aspektet ambientale.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë ditës, ka zhvilluar një drekë pune edhe me Zëvendësministrin Parlamentar për Politikë të Jashtme. Gjatë takimit është folur për projekte konkrete në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, shëndetësisë, ambientit dhe kulturës.

Më pas, Ministri Hoxhaj iu ka përgjigjur interesimit të rreth 32 gazetarëve të medieve të ndryshme të Japonisë. Duke folur për procesin e njohjeve, Hoxhaj ka theksuar se politika e jashtme e Kosovës, asnjëherë nuk ka qenë më dinamike dhe më e përkushtuar për të sjellë sa më shumë njohje ndërkombëtare.

Ministri Hoxhaj ka takuar edhe një grup të madh të deputetëve të Parlamentit japonez, ku është folur për mundësinë e shkëmbimit të përvojave mes dy parlamenteve, me qëllim të intensifikimit të raporteve në të gjitha nivelet institucionale mes dy shteteve.

Ministri Hoxhaj, vizitën e tij në Japoni do ta vazhdojë edhe nesër, ku pritet të takojë shumë personalitete të jetës politike dhe publike, si dhe do të mbajë një ligjëratë në Institutin Japonez për Marrëdhënie Ndërkombëtare.