Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, të dielën do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të Ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle.

Të hënën, Ministri Hoxhaj do të takohet me Ministrin Westerwelle, ku do të diskutohet për zhvillimet ndërkombëtare rreth Kosovës, thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve si dhe për proceset e tjera të rëndësishme, me theks të veçantë proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxhaj do të zhvilloj takime edhe me udhëheqës të tjerë të lartë të shtetit gjerman si dhe me shumë personalitete të cilat kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh për avancimin e proceseve shtetëndërtuese e integruese të Kosovës.

Gjatë takimeve, Ministri Hoxhaj do të kërkoj vazhdimin e mbështetjes së gjithanshme të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.

Po ashtu, Ministri Hoxhaj, do të shpreh përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Republikën Federale të Gjermanisë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të shtetit të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të prezantojë Republikën e Kosovës edhe në aktivitete të tjera politike dhe akademike të nivelit të lartë, ku do të diskutohet për proceset integruese të rajonit në mekanizmat euroatlantik.