Ziko e mori drejtimin e CSKA Moskës nga Valeri Gazaev dhe arriti të fitojë Kupën dhe Superkupën e Rusisë.
Në pjesën më të madhe të sezonit, CSKA-ja ishte ndër ekipet kryesuese, por një rënie e formës në periudhën e fundit, bëri që klubi të përfundojë sezonin në vendin e katërt me 10 pikë prapa kampionëve të Rubin Kazan. Kjo solli edhe largimin e brazilianit dhe caktimin e Ramos në vend të tij.
“Pasi të gjitha palët arritën një marrëveshje, u morr vendimi që nga sot kontrata mes Zikos dhe CSKA Moskës të prishet. E falenderojmë për kohën e kaluar në klub dhe për Kupën dhe Superkupën e Rusisë, që u fituan nën drejtimin e tij,”- thuhet në deklaratën e klubit rus.
Në të njëjtën kohë, Huande Ramos ka pohuar kalimin në rusi me anë të një deklarate në faqen e tij zyrtare.
“Ata janë një ekip me histori, edhe pse nuk kishin fat në ndeshjet ndërkombëtare. Jemi të bindur se mund të bëjmë një sezon të mirë në Ligën e Kampionëve dhe do të punojmë me ngulm për këtë,”- ka thënë Ramos.
Pak ditë më parë, në shtypin spanjoll qarkulluan zëra se Milani ishte në kontakt me trajnerin spanjoll.