Mesditën e kësaj të enjteje, në kryeqytetin shqiptar është nënshkruar marrëveshja për të sjellë në Shqipëri të gjithë eksperiencën dhe menaxhimin në fushën e hotelerisë, të kompanisë gjigante amerikane Hyatt Hotels Corporation, me seli në Chicago.



Standardet më të larta të hotelerisë vijnë në Shqipëri falë bashkëpunimit të këtij brand-i të famshëm amerikan me Kastrati Group, për të menaxhuar pikërisht ambientet e ish-hotel Sheratonit pasi bleu Mak Albania-n.


Turizmi elitar shqiptar do të ketë tashmë një Hyatt Regency and Residency, hoteli i parë me 5 yje në Shqipëri dhe që do të ketë kapacitete më të mëdha sesa më parë, por edhe një pasaportë gold.


Në fjalën e tij mbajtur gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Rama theksoi ndër të tjera rekomandimet apo ankimet që lënë zakonisht vizitorët e huaj kur vijnë në Shqipëri, teksa të bie në sy problemi i akomodimit jo të përshtatshëm.


Një investim kaq i rëndësishëm për një hotel me 5 yje në Shqipëri sjell shumë përfitime për ekonominë shqiptare, qoftë me punësimin e stafit të tij, ashtu dhe me shpenzimet më të mëdha që do të bëjnë turistët kur gjejnë një shërbim dhe akomodim më të rehatshëm.


Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ende një hotel me 5 yje, që janë elita e industrisë së turizmit. Tashmë jemi në nisje të një projekti gjigant për sjelljen e Hyatt, që do të lërë në harresë njëherë e mirë edhe lotët e atyre që u pikëlluan kur u largua Sheratoni. Në fakt, as ai nuk ishte një hotel i mirëfilltë me 5 yje, pavarësisht pretendimeve, tha Rama.


Duke uruar ata që bënë të mundur këtë marrëveshje, Rama tha se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të priste për të qenë i pranishëm në ceremoninë e radhës së nënshkrimit të një tjetër kontrate me një tjetër markë të fuqishme.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)