Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Kurkulas deklaron në një intervistë për gazetën “Elefterotipia”, duke iu referuar Shqipërisë, se "Hyrja në familjen evropiane kërkon respekt për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre".

I pyetur për politikat që do ndjekë Greqia në krye të presidencës së BE gjatë 6 muajve të parë të 2014, zëvendësministri siguron se “Greqia tradicionale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor" dhe vijon duke thënë se "po zhvillohet një proces i vazhdueshëm për harmonizimin gradual të politikave dhe institucioneve të Ballkanit Perëndimor me kërkesat evropiane”.

Kurkulas pohon se në janar të vitit 2014, në fillimin e Presidencës greke, do të fillojnë negociatat për pranimin e Serbisë, por shton se “shpresa është që në të ardhmen edhe vendet e tjera të rajonit, nën kushtin e rreptë të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, do të kenë mundësi të bëhen anëtarë të barabartë në familjen evropiane”.

I pyetur nga gazetari se “si do të ndikojnë incidentet e fundit të dhunshme në Përmet në kursin evropian të Shqipërisë”, diplomati grek deklaron: “Çfarë është e vërtetë për vendet e tjera, vlen edhe për Shqipërinë. Hyrja në familjen evropiane kërkon harmonizim me frymën e normave evropiane. Kjo përfshin respektin për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Respekti për parimet e kulturës europiane është parakusht ligjor i nënkuptuar”.

Ai thekson se ngjarje të tilla si incidentet e fundit në Përmet janë të papranueshme. "Ne duam të thellojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë dhe besoj se kjo është edhe dëshira e palës shqiptare", deklaron zyrtari duke shprehur shpresën se “pala shqiptare do të jetë në gjendje për të izoluar ata që minojë marrëdhëniet dypalëshe”.
(Balkanweb)