Kohë më parë, publicisti i mirënjohur –dr. Milazim Krasniqi ka botuar librin "Hyrje në gazetari", libër ky  i hartuar eksluzivisht për studentët e Fakultetit të Gazetarisë në Prishtinë. Por, veç tyre, ky libër do të mund t'ju shërbejë edhe gjithë atyre që merren me këtë profesion, pa e pasur   domen  të ngushtë universitar. "Hyrje në gazetari" është një libër shumë praktik dhe, si i tillë, është një bazë e mirë për t'i kuptuar konturat  e gazetarisë moderne, të asaj gazetarie që praktikohet sot në vendet më të zhvilluara të botës. Autori, para se të kalojë te lajmi dhe raporti, që i shqyrton nga të gjitha këndvështrimet e gazetarisë moderne, thekson rëndësinë e madhe që ka sot gazetaria në botë. Këtu jep disa të dhëna se si është zhvilluar gazetaria në Kosovë deri më 1990 dhe analizon  shpërthimin medial të pas vitit 1999, kur Kosova u çlirua nga robëria shumëvjeçare serbe.
Libri vazhdon me "Profilin e gazetarit të suksesshëm"(titulli i një leksioni), në të cilin shkoqit vlerat që duhet t'i posedojë një gazetar i suksesshëm. Baza kryesore për të qenë një gazetar i tillë, shkruan  Krasniqi, janë ndershmëria, saktësia, guximi, formimi intelektual etj. Këtu jep shembuj të ndryshëm, për ta ilustruar këtë bazament, që duhet ta kenë parasysh gazetarët. Për Krasniqin, ka shumë gazetarë që janë trajtuar nëpër institute të ndryshme të gazetarisë jashtë dhe brenda vendit tonë, të cilët i kanë mësuar format e të shprehurit gazetaresk, por, duke mos  pasur formim të mirë intelektual, ata nuk shquhen si të suksesshëm. Tituj të tjerë të librit janë: "Gazetaria e përgjithshme dhe gazetaria e specializuar", "Përdorimi në gazetari i metodave të kërkimit sociologjik"( në të cilat leksione preferon që gazetarët të merren me një fushë të caktuar e jo të shpërndahen  në shumë sosh, dhe se si gazetari duhet t'i qaset formave të kërkimit sociologjik për ta hartuar një tekst të mirë); "Arsyet e botimit të lajmit e të raportit", "Prirjet themelore në gazetari", "Kreu i lajmit", "Tipologjia e kreut të tekstit gazetaresk", "Piramida e përmbysuar", "Përdorimi i citateve", "Titulli-kulmi i piramidës së përmbysur", Përdorimi korrekt i gjuhës në gazetari", "Raportimi për fatkeqësitë në komunikacion", "Raportimi për katastrofat dhe për fatkeqësitë e mëdha", "Raportimi nga konferencat e shtypit", "Përdorimi i komunikatave për shtyp dhe i lajmërimeve", "Raporti për krimet", "Raportimi nga gjyqet", "Raportimi nga mbledhjet dhe nga tubimet" dhe "Raportimi nga ngjarjet kulturore". Të gjitha leksionet (kështu po i quaj me shkas) janë ndarë në tri pjesë: Gazetaria si profesion, Struktura e shkrimit gazetaresk dhe Raportimi nga vendi i ngjarjes. Milazim Krasniqi jep shembuj të shumtë për të gjitha llojet e raportimeve, për ta  zotëruar gazetarët  sa më suksesshëm raportimin për mediat ku punojnë. Një shqyrtim të gjithanshëm, dr. Milazim Krasniqi ia ka bërë në këtë libër edhe kreut të tekstit gazetaresk. Me shembuj praktikë, sqaron se si niset një tekst me kreut e vonuar, kreun e drejtpërdrejtë, kreun rezymues etj. Kreu i tekstit në gazetari është  sfida më e madhe me të cilën ballafaqohen gazetarët. Kreu është mundimi më i madh i tyre gjatë hartimit të një teksti. Për ta bërë këtë sa më të qartë për studentët e gazetarisë, por edhe për të tjerët, jep dhjetëra shembuj. Gjithë këta janë shumë të kapshëm për lexuesit e këtij libri, sepse autori ka shmangur nga hartimi i tij gjithë termat e huaj, i vetëdijshëm se librin, në radhë të parë, ua dedikon studentëve të Degës së Gazetarisë, e cila sivjet po e bën vitin e katërt të themelimit.
"Hyrje në gazetari" është, po ashtu, një bazament i mirë edhe për gjithë ata që e synojnë regjistrimin në këtë degë, pasi në të janë dhënë elementet më të rëndësishme për këtë profesion, i cili, dita më ditës, ashtu siç thotë edhe dr. Milazim Krasniqi, po i josh të rinjtë tanë që të merren me të. Libri ka 179 faqe. Është  botuar nga Shtëpia botuese "Rozofa".  Me "Hyrje në gazetari", dr. Milazim Krasniqi ka dhënë një kontribut të madh në fushën e gazetarisë.

...