Vushtrri, 2 gusht - Nuk ka nevojë për super spektakël, pas vendimit të GJND-së bisedimet me Serbinë janë më të lehta, ka thënë të hënën në Vushtrri Ylber Hysa, koordinator për implementimin e Strategjisë për veriun e Kosovës. Koordinatori Hysa të hënën ka qenë mikpritës i zyrtarëve më të lartë të klerit serb në Kosovë, në një liturgji që është mbajtur në kishën ortodokse “Shën Ilia”në Vushtrri.
“Mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj, institucionet e Kosovës janë garantues të të drejtave tuaja për lëvizje të lirë si dhe për kryerjen e riteve fetare”, i ka thënë në konakun e kishës në Vushtrri Hysa peshkopit Amfillohije. Hysa në Konakun e Kishës ka pritur edhe sekretarin e ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili në këtë liturgji fetare kishte ardhur si qytetar i Kosovës, si dhe përfaqësues të serbëve të komunës së Vushtrrisë.
Në kishën “Shën Ilia”, që nga orët e hershëm të mëngjesit rreth 200 serbë, të ardhur nga pjesa veriore e Kosovës, por edhe nga qytete të Serbisë, kanë festuar Ditën e Shën Ilisë. Kjo festë mbahet çdo vit në Vushtrri më 2 gusht, por kësaj radhe ka qenë më e veçantë pasi liturgjinë e ka udhëhequr peshkopi Amfillohije, si dhe për shkak se janë në përfundim e sipër punimet në riparimin e kësaj kishe. Kisha është shkatërruar gjatë luftës së vitit ‘99 në Kosovë, si dhe gjatë ngjarjeve të marsit në vitin 2004, ndërsa meremetimi i saj është bërë me mjete të Qeverisë së Kosovës.
“Bisedimet janë të pashmangshme dhe zgjidhja e problemit për të dy palët mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, ka thënë Oliver Ivanoviq. Sipas tij, “Serbia nuk ka plan vetëm për veriun, por për gjithë Kosovën”. Serbia nuk është duke e shqyrtuar ndarjen dhe as që është e interesuar për një gjë të tillë, mirëpo kur të bisedojmë duhet t’i gjejmë pikat e përbashkëta, temat për të cilat do të pajtoheshin të dy palët, ka thënë ai. “Mendoj se nuk ia vlen të bisedohet për çfarëdo teme, nëse nuk është zgjidhur statusi paraprakisht”, ka vlerësuar ai.
 “Kjo është një ditë e zakonshme si të gjitha ditët e tjera kur Qeveria e Kosovës zbaton Kushtetutën e saj, me të cilën të gjithë qytetarëve iu siguron lëvizje të lirë kulturore e fetare”, ka thënë Koordinatori Hysa. Sipas tij, “Qeveria e Kosovës është garant dhe përkujdeset për të gjithë qytetarët e saj, duke iu siguruar çdo të drejtë për lëvizje e rite fetare të lirshme”.
Sot këtu isha për t’iu uruar qytetarëve serbë festen e Shën Ilisë, të cilët këtu e kremtuan pa asnjë problem, ka vazhduar Hysa, i cili pjesëmarrjen e Ivanoviqit në këtë rit fetar e ka cilësuar si private. Ivanoviqi këtu ka qenë privatisht dhe, siç po e shihni, është edhe me veturë private, ai është qytetar i Kosovës dhe ka të drejtë të pjesëmarrjes nëpër festa dhe për lëvizje nëpër territorin e Kosovës. 
“Kjo është një ditë e madhe për ne serbët, pas 11 vjetësh për herë të parë u mbajt një liturgji fetare në kishën tonë”, ka thënë përfaqësuesi i serbëve të Vushtrrisë, Dragisha Murganiq. Tani situata është përmirësuar dhe një numër i madh i qytetarëve serbë po i realizojnë të drejtat e tyre në Komunë sa i përket pronës së tyre, derisa një gjë e tillë më parë ka qenë e pa mundur, ka thënë Murganiq.