HysajElseid Hysaj çmend anglezët. Pas Manchester United dhe Chelsea-t, në garën për shërbimet e mbrojtësit shqiptar është futur edhe një tjetër emër i madh i Premier League-s. Sipas britanikes Daily Star bëhet fjalë për Manchester City-n e drejtuar nga Pep Guardiola.


Klubi i sheikëve është gati të hyjë në ankandin për 22-vjeçarin nga Shkodra, për një betejë të zjarrtë me rivalët për titull në merkaton e Janarit. Përpara hapjes së afatit të transferimeve të dimrit, Manchester United vazhdon të shfaqë interes për mbrojtësin e djathtë, duke ofruar deri në 30 milionë euro, plus mbrojtësin Matteo Darmian, që pëlqehet shumë nga Napoli.


Megjithatë, Jose Mourinho ka konkurrencë, pasi Hysaj admirohet edhe nga Antonio Conte, i cili ka qenë dëshmimtar i rritjes së kuqeziut në Serinë A dhe po e monitoron me kujdes situatën e lojtarit. Në anën tjetër, Pep Guardiola është vënë në kërkim të një mbrojtësi të nivelit botëror në krahun e djathtë dhe i është bashkuar garës për shërbimet e Elseid Hysajt. Humbjet e fundit të Manchester City-t, paraqitjet jo të kënashme nga Bacary Sagna apo  Pablo Zabaleta në krahun e djathtë, e kanë bindur teknikun spanjoll të shpenzojë në merkato.


Disa muaj më parë, nga Anglia, Hysajn e vëzhgonte edhe Arsenali, me trajnerin Arsene Ëenger që e cilësonte si zëvendësuesin ideal të Hector Bellerin, por interesi u zbeh pas rinovimit të mbrojtësit spanjoll. Interesi për Hysajn në Premier League mbetet i madh, por me kualifikimin në Champions, duket e vështirë që Napoli të pranojë të hyjë në bisedime. Duke parë edhe forcën financiare të klubeve më të mëdha angleze, e vetmja mënyrë që mbrojtësi i Kombëtares të largohet është pagesa prej 50 milionë eurosh, e parashikuar në klauzolën për prishjen e kontratës në San Paolo.


11 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)