Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni thekson se ideja e presidentit të Serbisë për ndarjen e Kosovës është shumë e rrezikshme. "Në Ballkan...nevojiten vetëm disa njerëz të krisur për ta filluar luftën. Ne nuk dëshirojmë ta shohim këtë"- tha Hyseni në një konferencë për shtyp në Nju Jork. 

NJU JORK- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni thekson se ideja e presidentit të Serbisë për ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike, është "shumë e rrezikshme" dhe mund të çojë në konflikt të ri.

"Duke luajtur me kufijtë në Ballkan gjithnjë ka qenë e rrezikshme dhe vazhdon të jetë e rrezikshme", tha sot ministri Hyseni. Ai shtoi se "në Ballkan...nevojiten vetëm disa njerëz të krisur për ta filluar luftën. Ne nuk dëshirojmë ta shohim këtë". Komentet Hyseni i bëri në një konferencë për shtyp në selinë e Kombeve të Bashkuara. Duke u shprehur për nismën e Serbisë, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta shqyrtoj ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Skënder Hyseni tha se "çështja e pavarësisë së një vendi, nuk është çështje e rezervuar për gjyq. Ajo është çështje e rezervuar për vendim politik, të bërë nga liderët politikë".

Ai tha se "është i sigurt se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të sjellë vendim përkatës" duke theksuar se në "këtij vendimi nuk i frikësohemi".


(s.g/Telegrafi/BalkanWeb)